fbpx

Flet regjisori i videoklipit të Erës “E Dehun”

Regjisori i videoklipit “E Dehun” nga Era Istrefi, ka reaguar pas kritikave të ashpra nga Kisha Ortodokse Serbe. 

“E dehun”, kënga e Era Istrefit që ka ngjallë reagime nga mediet e Serbisë dhe në qarqe fetare ortodokse, lidhur me atë se një pjesë e xhirimeve është realizuar në objektin e nisur shumë vite më parë, për kishë ortodokse, por që ka ngelur në gjysmë, për regjisorin e këtij videoklipi, Astrit Ismaili, pa dashur të hyj mbi konceptin e videos, kjo ide ka ardhur si rezultat mbi rifunksionalizimin e objekteve të braktisura. 

“Gjendja e pa definuar e këtij objekti ka qenë motivi kryesor që unë të ndërmarr një iniciativë artistike në mënyrë që të shfrytëzohet ky objekt dhe të ngjallet debati në lidhje me fatin e tij. Unë besoj se duhet të ketë debat publik në lidhje me këtë objekt në mënyrë që kjo hapësirë t’i shërbejë komunitetit dhe jam i lumtur që projekti “E Dehun” po i shërben këtij qëllimi”, ka thënë Ismaili për KultPlus, sipas të cilit, objekti i papërfunduar i Kishës Ortdokse serbe është shfrytëzuar artistikisht. 

“Ky objekt i nisur për Kishe e i pa përfunduar me vite të tëra ka qëndruar i braktisur dhe pa funksion të qartë në mes të oborrit të Kampusit të Universitetit të Prishtinës”, ka thënë më pas Ismaili. 

Ai më pas ka rikujtuar se në shtator të vitit 2012, Ismaili ishte një ndër themeluesit dhe ideatorët e projektit “Prishtinë-Mon Amour”, i cili u mbajt në pjesën e djegur dhe të braktisur të Pallatit të Rinisë. 

“Bashkë me një grup vullnetarësh ne e pastruam dhe e funksionalizuam këtë hapësirë përmes një ngjarjeje me art performues e cila brenda një ore u vizitua nga më shumë se 2500 vizitorë. Ky projekt i hapi rruge aktiviteteve të tjera të cilat ia kthyen jetën kësaj hapësire pas 10 vitesh të kaluara pa asnjë aktivitet që i shërben rinisë”, ka thënë Ismaili. 

Kënga e “E dehun”, e Era Istrefit është xhiruar një pjesë në Katedrale dhe një pjesë në objektin e dedikuar për Kishë Ortodokse, por i ngelur në gjysmë. Mediet serbe kanë vlerësuar se këngëtarja shqiptare ka përdhosur këtë objekt, pasi që kanë potencuar se në këtë objekt janë xhiruar skena që nuk i shkojnë këtij objekti.

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close