O ti që e arrite Ramazanin!

Në emër të Allahut Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit

Ramazani, muaji i mirësisë, me ardhjen e tij përgëzohen të mirët, një sezon i adhurimeve, mirë se erdhe më i miri i gjithë muajve.

Lum për ty që e arrite Ramazanin, i dashuri jonë, -salAllahu alejhi ve selem!-, ka thënë: “O Allahu im! Na begato në muajin Rexheb dhe muajin Shaban, dhe na begato në muajin Ramazan.”

Falënderimi të takon ty o Zot që na mundësove ta arrijmë këtë Ramazan, prej Teje kërkojmë të na ndihmosh gjatë agjërimit dhe adhurimeve, të na begatosh me plotësim të këtij muaji me pranim dhe kënaqësi prej Teje.

Lum për ty që ke arritur Ramazanin, e si jo kur ti e arrite muajin i cili nuk është si muajt tjerë të vitit, është muaji ku zbresin mëshira nga Zoti i tokës dhe qiejve, përgëzon me ardhjen e tij sezoni më i madh i adhurimeve për të shtuar veprat e mira dhe për të shlyer të këqijat.

Është muaji i mirësive dhe begative. Allahu e bëri obligim agjërimin e këtij muaji, e bëri atë shans për të ndryshuar veten, Allahu thotë: “O ju që keni besuar! Agjërimi u është bërë obligim ashtu siç është bërë atyre para jush, që të jeni më të devotshëm”. Pra, arritja e devotshmërisë është qëllim dhe synim, për atë ky është fryti i shpresuar i agjërimit.

Është muaji i mëshirës dhe i bamirësisë, erdhi me gëzim e hare që të përfshin gjithë anët e botës e të përhap dashurinë, mëshirën mes muslimanëve, të garojnë robërit për të fituar shpërblimin dhe dhuratën prej dhuratave të Allahut, sepse shpërblimi në këtë muaj nuk është si shpërblimet tjera, se Allahu e veçoi shpërblimin në këtë muaj, i dërguari, -salAllahu alejhi ve selem!- ka thënë: “Çdo vepër e birit të Ademit shpërblimi i shumëfishohet me dhjetëfish e deri në shtatëqind. Allahu aze ve xhel thotë: Përveç agjërimin, ai është për Mua dhe Unë shpërblej për të, (njeriu) braktis epshin, e ushqimin për Mua. Agjëruesi i ka dy gëzime: një gëzim kur të ha iftar dh enjë gëzim kur të takon Zotin e tij, era e gojës së agjëruesit është më e këndshme te Allahu sesa era e myshkut.”

Është muaji ku hapen dyert e xhenetit, mbyllen dyert e zjarrit, është një fitore për atë që e shfrytëzon këtë shans para se t’i kalon, i dërguari, -salAllahu alejhi ve selem!-, ka thënë: “Ju erdhi juve Ramazani muaji i bekuar, Allahu aze ve xhel ua bëri obligim agjërimin e këtij muaji, çelen dyert e qiellit dhe mbyllen dyert e xhehenemit, prangosen shejtanët, Allahu në këtë muaj ka caktuar një natë që është me e vlefshme se një mijë net, kush i humb të mirat e kësaj nate me të vërtetë ka humbur.”

Lum për ty që ke arritur Ramazanin, është muaji të cilin e veçoi Allahu për atë që është i sinqertë në nijetin e tij, që shpreson atë që ka përgatitur Allahu prej shpërblimeve dhe faljen e mëkateve të mëhershme, i dërguari, -salAllahu alejhi ve selem!-, ka thënë: “Kush agjëron Ramazanin me besim dhe shpresë, i falen mëkatet e mëhershme.”

Lum për ty që ke arritur Ramazanin, është muaji që erdhi pas një viti, të na përkujton të mirat e Allahut, që arritëm këtë muaj, e exheli dhe sëmundja i pengoi shumë prej njerëzve që shpresonin të arrijnë shpërblimin e këtij muaji, ta shfrytëzojmë atë që e kemi arritur, se ndoshta për ndonjërin prej nesh herën tjetër nuk do të vije.

Rashid Abdurrahman el Asiri

Përktheu: Shpend Zeneli

Lajme të ngjashme

Back to top button