Shkupi përforcon bankinën me Faruk Jonuz

Klubi futbollistik Shkupi ka vazhduar me fazën e parë të përgatitjeve për sezonin e ri, ndërsa në kuadër të përgatitjeve nga dita në ditë edhe skuadra është kompletuar, pasi tani më kanë ardhur edhe futbollistët të cilët munguan në grumbullimin e parë të trajnerit Ramadani.
Në stërvitjen e parë është parë se bashku me stafin e trajnerëve edhe Faruk Jonuz, i cili ka arritur marrëveshjen me klubin për të qenë ndihmës i parë i trajnerit Ramadani, ndërsa sipas kryesisë kontrata me Shkupit dhe Jonuz është nënshkruar për një vit, me mundësi për ta vazhduar. Edhe më tutje në kuadër së bashku me tranjenrin Zekerija Ramadani, do të vazhdojnë të punojnë Orhan Abdi dhe Bllagoja Georgiev.

FC Shkupi para përgatitjeve
FC Shkupi para përgatitjeve

“Kam ardhur në një klub të madh, klub i cili ka histori të madhe e të gjatë, pas vete ka shumë tituj dhe shumë kupa të fituara. Pra kam ardhur në klubin e Shkupit, klub ky që ka ambicie të larta, e kjo është hyrja në Ligën e Parë të Maqedonisë. Pas kësaj qëndron edhe një armatë e madhe e tifozëve, për mua më të mirët në Maqedoni, të cilët mendoj do të na japin përkrahje dhe do të japin angazhimin e tyre në fitimin e vendit të parë dhe hyrje në Ligën e Parë.
Atë që e kam parë deri më tani, vërtet jam i impresionuar me punën e futbollistëve më të vjetër, pasi që bëhet fjalë për profesionist të mëdhenj dhe lojtarë që kanë karakter dhe kjo ne si ekip na e lehtëson punën. Mendoj që në këtë periudhë përgatitore që është shumë e vështirë, nuk besoj se do të ketë ndonjë problem, duke shpresuar se gjithçka do të jetë në mënyrën më të mirë”, ka thënë Jonuz në prononcimin e tij.

Të përkujtojmë se Faruk Jonuz ka punuar me ekipin e Renovës ku ishte asistenti i Vlatko Kostovit, Bylbyl Sokolit dhe Nexhat Shabanit, ndërsa së fundi ishte trajner i parë i KF Drita nga Bogovina.
Shkupi do të vazhdojë edhe për disa ditë me punë në Shkup, e që më vonë të transferohen buzë liqenit të Strugës, ku do të nisë faza e dytë dhe pritet të ketë edhe miqësoret e para kontrolluese. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button