Bexheti: Për disiplinim financiar nuk ka nevojë për limite kushtetuese

Propozimet e Nikolla Gruevskit, për ndryshimet kushtetuese, që limitojnë deficitin buxhetor deri në 3 për qind të prodhimit bruto vendor, konsiderohen të panevojshme nga ekonomisti Abdylmenaf Bexheti.

Të dhënat e prezantuara nga Minsitria e Financave tregojnë se pjesa më e madhe e deficitit buxhetor e projektuar për këtë vit është shfrytëzuar gjatë pesë muajve të parë të vitit.

Ekonomisti Abdylmenaf Bexheti, thotë se limitimi me Kushtetutë i deficitit buxhetorë, prej 3 për qind në vit, ashtu siç pretendon kryeministri Gruevski, do të konsumohet për gjysmë viti.

Bexheti konsideron se finansimet publike nuk mund të maten me rregulla dhe kritere fikse sepse llogaritjet për ta janë liberale dhe të varura nga kushtet ekonomike.

“Nuk ka nevojë për caktimin kushtetues se deri ku duhet të shkojë maksimumi i deficitit buxhetor dhe borxhit publik, sepse ekziston një rregull në financimet publike që praktikohet nga një numër  i madh i shteteve”, thotë Bexheti.

Bexheti, thotë se është e habitshme se si mund të ngrihet në nivel kushtetues një gjë që është e rregulluar me kriteret e Kopenhagës dhe të Mastrihtit për nivelin maksimal të borxhit publik dhe deficitit buxhetorë.

 

“Sqarimi i vetëm për një hap të tillë të qeverisë është që të lihet përshtypje se ajo është e disiplinuar në drejtim të financave publike që është larg nga realiteti”, thotë Abdylmenaf Bexheti.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button