Kushtetuta ndryshon, BDI shikon si demolohen të drejtat e shqiptarëve

Kushtetuta e Maqedonisë që konsiderohej si “Kutia e Pandorës”, nuk është në të vërtetë një kështjellë e paprekshme.

Qeveria ka ndërmarrë një iniciativë për ndryshime kushtetuese, që për njohësit e mirë të këtyre rrethanave janë vetëm një tendencë për të treguar se diçka po behët, ndërkohë që partia shqiptare në pushtet sheh nga afër  se legjislacioni po ndryshon, pa e kuptuar rëndësinë e rregullimit kushtetues të të drejtave të shqiptarëve.

Analistët vlerësojnë se ndryshimet e dispozitave kushtetuese gjithnjë kanë ndodhur sipas dëshirës së qeverisë, pa përfillur faktorin politik shqiptarë që thuajse edhe nuk ka ndërmarrë diçka serioze në hapjen dhe rregullimin kushtetues të çështjeve shqiptare në Maqedoni.

Kushtetuta e Maqedonisë ka pësuar ndryshime rrënjësore, thotë Osman Kadriu, për Portalb. Sipas tij është arritur deri në amendamentin 32. Kadriu thotë se të gjitha ndryshimet më së shumti përmbushin insistimet qeveritare, pa prekur dispozitat që tangojnë shqiptarët.

BDI nuk ka idenë e demolimit kushtetues të shqiptarëve në Maqedoni

Ndryshimet e propozuara që në rrethana normale sipas analistëve duhet të kishin pëlqimin dhe dialogun ndërpartiak të partive qeverisëse ,  po ndodhin pa idenë e BDI-së, për rendësin e rregullimit të të drejtave të shqiptarëve me dispozita kushtetuese. Të paktën zëdhënësi i sajë, Bujar Osmani, nuk e ka ndonjë sqarim për opinionin shqiptarë se pse ndryshimet kushtetuese bëhen gjithnjë  sipas qejfit të qeverisë, për norma juridike që aspak nuk prekin të drejtat e shqiptarëve.

Memeti: Nuk kam hollësi për ndryshimet kushtetuese, do të ketë qëndrim partiak

Deputetja e BDI-së, Ermira Memeti, tha se tani për tani nuk mund të jap ndonjë hollësi për ndryshimet kushtetuese të propozuara nga qeveria. Ajo thotë se të hënën mund të ketë një qëndrim të partisë, sa i përket ndryshimeve kushtetuese të propozuara nga Gruevski.

Bilalli: Ndryshimet kushtetuese, teatër politik

Analisti, Mersel Billalli, për Portalb thotë se,  ndryshimet kushtetuese që propozohen nga qeveria, janë vetëm një improvizim që të jepet përshtypja se diçka është duke u punuar, kurse realisht ata propozime nuk kanë të bëjnë me materien kushtetuese dhe të gjitha ata janë material që mund të rregullohen në forma ligjore.

“Kjo është vetëm një teatër politik. Nëse duhet ndryshime kushtetuese ato duhet të bëhen në segmente tjera , të funksionimit të shtetit,  konform karakterit multietnik, ku mekanizmat e deri tanishme nuk u treguan funksionalë qe ta eliminojnë majorizimin. Pra pozita e qytetarit jo partiak është e diskriminuar dhe jo i mbrojtur në të gjitha segmentet”, thotë Mersel Bilalli.

Bilalli mendon se qytetarët kanë të drejtë të propozojnë ndryshime të neneve të caktuara. Sipas tij, kur duhet ët bëhen ndryshime kushtetuese duhet të ketë edhe dialog mes partive, kjo konsideron Bilalli tregon se nuk ka seriozitet.

Kadriu: Qeveria ndryshon kushtetutën sipas dëshirës së vetë

Njohësi i mirë i rrethanave kushtetuese, Osman Kadriu, thotë për Portalb, se Kushtetuta e Maqedonisë ka nevojë për ndryshime, por jo ato të bëhen gjithmonë sipas insistimit të qeverisë, duke mos përkrahur edhe ndryshimet e nevojshme që kërkojnë rregullimin kushtetues të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.

 “Kushtetuta po pëson ndryshime vazhdimisht. Qeveria gjithnjë insiston në disa ndryshime për të cilët ajo mendon se duhet të bëhen. Në këto procedura kur  inkuadrohet edhe faktori shqiptar  me propozime konkrete, qeveria nuk ka disponim politik ti pranon dhe atëherë këto ndryshime nuk miratohen sepse kërkohet 2 e 3 e deputetëve”, thotë Osman Kadriu për Portalb.

Përkundër këtij fakti, thotë Osman Kadriu, subjekti politik shqiptarë duhet të inicioj procedurë për rregullimin e disa gjerave që nuk janë të rregulluar me dispozita kushtetuese,  si gjuha, që duhet të përmendet në kushtetutë, kjo deri më tani nuk është rregulluar në kushtetutë.

Të drejtat e shqiptarëve nuk janë pjesë e dispozitave kushtetuese

Përdorimi i gjuhës shqipe nuk është e rregulluar me kushtetutë. Ndonëse se parashihet me Marrëveshjen e Ohrit, nuk është e rregulluar me dispozita kushtetuese, thotë Osman Kadriu.

Përfaqësimi adekuat i shqiptarëve në administratën shtetërore, që nënkupton edhe segmentin më pak të përfaqësuar si është drejtësia, po ashtu nuk është e rregulluar në kushtetutë.

Një çështje më e rëndësishme që sipas Osman Kadriut duhet ët jetë pjesë e ndryshimeve kushtetutës është edhe defi nimi i preambulës që gjatë vitit 2001 pësoi ndryshime duke i bërë shqiptarët popull jo shtet formues në Maqedoni.

Lajme të ngjashme

Back to top button