fbpx

Filloi aksioni ‘Maqedonia pa mbeturina’

Filloi pastrimi i pikave të paligjshme të mbeturinave, në afërsi të burimit në Rashçe prej ku furnizohet me ujë thuajse tërë qyteti i Shkupit. Aktivitetet në të cilat u përfshinë personalisht krerët e Ministrisë së Ekologjisë dhe komunës Saraj, janë pjesë e manifestimit “Maqedonia pa mbeturina”. Autoritetet thonë se aksioni po ndërmerret tani, pasi më herët nuk ka pasur kushte për një organizim për pastrimin e mbeturinave.

“Është i ndarë në dy faza, sot është faza e parë. Është pilot projekt  ku do të marrin pjesë 6 komuna, që nënkupton aksionin Republika e Maqedonisë pa mbeturina. Në mesin e këtyre 6 komunave është edhe komuna e Sarajit, lokaliteti Rashçe. Dhe siç e shihni situatën çfarë është…por ne kemi përkushtim ndaj këtyre sendeve dhe do të përkushtohemi maksimalisht për zgjidhjen e këtyre problemeve”, deklaroi Nurhan Izairi, Ministër i Ekologjisë.

“Kërkesë kryesore është që Qeveria, pushteti qendror të intervenoj në pastrimin e këtyre deponive të egra dhe pastaj ne si pushtet lokal dal ngadalë  të marrim përsipër mirëmbajtjen, grumbullimin e gjithë atyre mbeturinave nëpër gjithë vendbanimet e Komunës së Sarajit”, tha Bekim Murati, Kryetar i Komunës së Sarajit.

Sipas kryetares për Ripërtëritje Demokratike të Maqedonisë, Liljana Popovska, partia e së cilës është iniciatore e këtij aktiviteti, situata me pika grumbullimi të paligjshme mbeturash, është alarmante.

“Gjendja në Rashçe është alarmante. Kjo është tmerrësisht e rrezikshme për qytetarët që jetojnë në fshatin Rashçe, mirëpo edhe për gjithë qytetin, duke marrë parasysh burimin e ujit. Por ky aksion është parashikuar vetëm si inicim deri në krijimin e një zgjidhjeje të përhershme dhe të qëndrueshme për mbeturinat”, tha Liljana Popovska, kryetare e RDM-së.

Aksioni “Maqedonia pa mbeturina” organizohet për të tretin vit me radhë me iniciativë të Ripërtëritje Demokratike të Maqedonisë, nën realizimin e Ministrisë së Ekologjisë dhe Asociacionit të OJQ-ve “Hajde Maqedoni”. Aksioni është pjesë e iniciativës globale që përfshin pastrim njëditor në 107 vende të botës. Në Maqedoni u pastrua sot në 6 komuna, përveç Sarajit edhe në Gazi Babë, Petrovec, Delçevë, Kërçovë dhe Dojran. Aksioni ka për qëllim zvogëlimin e mbeturinave të hedhura në mënyrë të papërgjegjshme dhe rritjen e vetëdijes qytetare për kujdes më të madh ndaj ambientit jetësor.

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close