Për shkak të motit të keq Maqedonia mbeti pa kajsi, kumbulla dhe fruta të tjera

Shiu i rrëmbyeshëm dhe erërat e forta që përfshinë Maqedoninë gjatë javëve të kaluara, shkatërruan një pjesë të konsiderueshme të kulturave bujqësore. Sipas kreut të Federatës së fermerëve Nikolla Stamenov, për shkak të temperaturave të ulëta në kohën e lidhjes së frytit dhe shiut të rrëmbyeshëm, lugina e Vardarit mbeti pa kajsi, kumbulla dhe fruta të tjera, ndërsa dëme pësuan edhe të mbjellat me grurë.
“Kryesisht dëmet janë në kulturat e kopshtarisë si dhe te bostani, në rajonin e Strumicës. Ka dëme edhe te duhani te pjesa më e madhe e prodhuesve të duhanit”, tha Nikolla Stamenov, kryetar i Federatës së fermerëve të Maqedonisë.

Ndonëse një pjesë të prodhimeve bujqësore u shkatërruan nga shiu dhe era, prapëseprapë fruta dhe perime do ketë në sasi të mjaftueshme, siguron Stamenov. Ai thotë se përveç nevojave vendore, kultura kopshtarie do ketë edhe për eksport në Serbinë fqinje, prej ku tashmë kanë ardhur kërkesat e para për blerje.

“Informatat e para që kemi përmes Federatës së Fermerëve të Serbisë dhe kooperativave, tregojnë se ata do kenë nevojë për zarzavatet tona, ndërsa ne, megjithë të korrurat e begatshme, do kemi nevojë për grurë. Sipas informatave që kemi, megjithë përmbytjet, atje do ketë grurë dhe si duket, ata do lejojnë edhe eksportin e grurit”, u shpreh Nikolla Stamenov, kryetar i Federatës së fermerëve të Maqedonisë.

Për katër muajt e parë të vitit, shkëmbimi tregtar mes dy vendeve është rreth 270 milionë dollarë, prej të cilave 74 milionë janë nga eksporti i mallrave tona në Serbi, ndërsa 197 milionë nga importi i mallrave nga Serbia.

Lajme të ngjashme

Back to top button