Ditar Ramazani-2

Po i patëm dy ditë të njëjta, nuk jemi besimtar të mirë. Niveli i dijes duhet të ndryshoj. Niveli i punës duhet të ndryshoj. Niveli i besimit duhet pozitivisht të ndryshoj. Niveli i përmirësimit të vetvetes për çdo ditë duhet të ndryshoj. Edhe pse këto gjëra nuk varen nga dita. Më shumë varen nga thelbi ose esenca e edukimit të brendshëm shpirtëror.

Ditët janë ditë edhe po qe se janë të njëjta.  Ne njerëzit ndryshojmë. Po qe se ngelim në një vend, në të njëjtin nivel të dijes ose punës, ne ndryshojmë për të keq. Ndryshojmë edhe atëherë kur kujtojmë se nuk kemi ndryshuar asgjë nga veset tona të këqija.

Në momentin kur ndryshojmë kapemi pas logjikës së imitimit ose përcjelljes. Dikush përcjell hap pas hapi egon e tij. I përshtatet, i bie në sexhde, e ledhaton e është në gjendje edhe të bëj krime në emër të plotësimit të orekseve të egos së tij. Të tjerët thërrasin në mos përcjellje. Ne kuptojmë gjithçka vet. Nuk kemi nevojë për të parë e as udhëheqës. Në fakt, kjo është logjika e përcjelljes së egos. Kur shumë ego dalin në skenë, nxjerrin nga njerëzit fytyrat më të shëmtuara.

Edhe pse ndoshta në këtë rrugëtim, ti kujton se ekziston vetëm një fytyrë. Ajo që të gjithë e kemi. Ajo që të gjithë e shohim. Ajo që të gjithë e përcjellim se si zhvillohet prej në fëmijëri. Po në vetvete zhvillohet edhe një fytyrë tjetër, e brendshme, e padukshme, e cila është e lidhur direkt me egon tonë. Ajo rri fshehur, përderisa vet djalli i mallkuar e ngacmon nxjerrjen jashtë.

Lufta me egon nuk është shkatërrim i egos, po as edhe i njeriut. Nëse betejën e fiton egoja, nënkuptojmë përfundimin ose shkatërrimin e njeriut. Nëse betejën e fiton njeriu duke e kontrolluar egon e tij, atëherë shumë çrregullime në rruzullin tokësor ndalen. Është me rëndësi të dimë se si ta trajtojmë egon. Ajo nuk mund të zhduket tërësisht përderisa është e mbjell në natyrën e njeriut.

Dy ditët e njëjta nuk janë e mira e besimtarit. Ato gjithmonë duhet të dallojnë njëra nga tjetra, deri në përfundim të jetës. Këtë gjë e kuptuan shumë mirë të tjerët, ndërsa neve na ka kapur pakujdesia. Asnjëherë mos kujto dhe mos thuaj se këtu është fundi i gjithçkaje. Bash në ato momente kur kujton se ke arritur tek fundi i sendeve në të kuptuarit, studiuarit, punuarit,ose jetuarit, bash atëherë fillon jeta jote.

Edhe po erdhi dita e kiametit, dhe keni në dorë një fidan për ta mbjell, mbilleni. Kështu na porositi i dashuri i botëve, Pejgamberi Muhamed alejhi selam.

Dita e kiametit është përfundimi i kësaj bote dhe fillimi i botës tjetër. Çfarë logjike ekziston për ta mbjell fidanin edhe në atë ditë?

Përgjigjen e kësaj pyetje e jep secili veç e veç, individualisht. Përgjigja e kësaj pyetje nuk mund të jetë përgjigje kolektive edhe pse me kolektivin ka të bëjë.

Mos e bart dertin e frytit asnjëherë. Ti e jep mundin, ndërsa fryti nuk është në dorën tënde. E ne, duke e menduar frytin, po e arsyetojmë dembelizmin.

Dy ditë të njëjta për besimtarin janë haram.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button