Dëshmia e policit: Ja si ndodhi vrasja e Santos

Skena e ekzekutimit të Artan Santos është përshkruar me imtësi nga polici rrugor që gjendej pak hapa larg skenës së krimit. Në rrëfimin e tij për hetuesit, ai thotë se, vrasësit i kanë drejtuar pistoletën në kokë.

Ajo që bie në zy në rrëfimin e policit është pasiviteti i tij në gjithë këtë ngjarje. Edhe pse punonjësit e Policisë Rrugore janë të pajisur me armë zjarri, polici për asnjë moment nuk thotë se ka nxjerr armën.

Dëshmia e policit:

Duhet të ketë qenë ora 9:18 minuta. Kam qenë pak më sipër bankës. Kam qenë duke u afruar për të kontrolluar trafikun në kryqëzim. Ishte një fragment sekonde, kur pashë që aty ndaloi një veturë me një targë me tre numra të njëjtë, njëri pas tjetrit. Vetura ndaloi aty në formë skiç, si diagonal në rrugë dhe mendova se mund të bllokonte rrugën.

Kur po shkoja aty, pashë që nga pas ishte një motor i zi dhe dy njerëz që kishin veshje të errëta. U mata të vija fillimisht këmbën në këmbalecin e motorit që të nisem, por ndalova se e pashë që ato nuk lëvizën.

U krijua një moment pështjellimi dhe mendova se çfarë po ndodhte. Menjëherë sapo motori ndaloi, personi që ishte në ndenjësen e pasme të motorit, kërceu nga motori dhe u hodh në rrugë.

S’po kuptoja se çfarë po ndodhte dhe u afrova. Në atë moment personi nxori armën. Hodha edhe një hap po ai ma drejtoi mua. U largova pas, ndërsa pashë që në këtë moment po zbriste nga vetura një burrë i madh në moshë. Kështu m’u duk. Mendova se duhej ta kishin me të dhe po mendoja me vete: po me këtë ç’punë kanë. Më vonë mora vesh se ky burrë ishte një njeri mjaft i rëndësishëm.

Pashë që ai zbriti nga vetura dhe ishte me shpinë. Sapo ai hodhi këmbën në tokë, ai qëlloi nga pas. Unë u fsheha pas pemës. Ai nisi ta qëllonte dhe ta ndiqte nga pas, ndërsa bankieri mundohej të largohej.

E ndoqi nga pas dhe ai u rrëzua. Aty e qëlloi prapë. Në këtë kohë, isha futur pas pemës dhe po thërrisja në radio: Vrasje në Bllok, vrasje në Bllok. Por nuk mund të qëndroja përballë, sepse pasi të vrisnin këtë person, objektivi i ardhshëm do të isha unë sepse isha identifikuar me uniformë policie.

Ata kishin veshje të zeza. Xhupa të zinj, kishin skafandër të zezë dhe kaq. Nuk kam fiksuar më tepër, gjithçka ndodhi në pak momente. E gjitha kjo situatë besoj se zgjati më pak se një minutë.

Pasi motori u largua, shkova e kapa motorin, e ndeza, por ata kishin ikur goxha para meje. U vura pas në ndjekje. Ata morën rrugën te Garda e Republikës, më pas dolën te Liqeni Artificial. Unë isha pas tyre. Por kur dolën tek liqeni, u futën tek ura poshtë dhe aty i humba nga sytë. Nuk munda t’i dalloj më. (Mapo/Shekulli)

Lajme të ngjashme

Back to top button