Nishani uron besimtarët myslimanë për muajin e Ramazanit

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani ka uruar besimtarët myslimanë për çeljen e muajit të Ramazanit nëpërmjet një postimi në rrjetin social facebook.

“Me përulje, respekt dhe dashuri, për secilin mysliman dhe secilin shqiptar, ju uroj me gjithë shpirt: Gëzuar Muajin e Ramazanit, Muajin e Shenjtë të mëshirës, tolerancës, mirënjohjes, faljes, shpëtimit, pastrimit material dhe reflektimit shpirtëror! Këtë Muaj kur e mira afrohet, shtohet, e keqja largohet dhe zvogëlohet, na jepet rasti për të parë thellë dhe kthjellët brenda vetes; çfarë na e turbullon gjakun, çfarë na e trondit zemrën, ku i kemi gabimet që t’i ndreqim, ku i kemi të mirat që t’i shtojmë, ku e kemi dashurinë që ta ruajmë, ku e kemi urrejtjen që ta flakim, dhe gjithashtu kalitim durimin, afrohemi, mëshirojmë njëri-tjetrin, qartësojmë mendjen, lehtësojmë trupin, shenjtërojmë Shpirtin por, mbi të gjitha, afrohemi me Zotin. Ramazan të lehtë myslimanëve, dhe gjithë të tjerëve!”-thuhet në mesazhin e kreut të shtetit.

Sot, besimtaret myslimanë në të gjithë botën dhe në Shqipëri kanë nisur agjërimin e muajit të Ramazanit, një detyrim sublim ky për çdo besimtar të rritur që beson në fenë islame.

Në përfundim të këtij muaji, myslimanët anembanë botës festojnë festën e Bajramit te Madh. / Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button