Sot rindizen motorët e Botërorit

Tani e mbrapa çdo ndeshje do të jetë si një finale, dhe për Brazilin çdo finale duhet fituar. 200 milion njerëz do të mbërthehen sërish nga emocionet e Selesaos, teksa përfaqësuesja e tyre do të zbresë sërish në fushë këtë të shtunë në orën 18:00, për një përplasje amerikano-jugore me Kilin, një rival që verdhëjeshilët e kanë dominuar në dekadën e fundit.

Pesë herë kampionët e Botës nuk humbasin me Kilin prej 10 vjetësh, dhe asnjëherë nuk janë mundur në shtëpi nga ata, por këtë herë kundërshtari kontinental beson se mund t’ia dalë mbanë, pasi i mbijetoi grupit të hekurt me Holandën dhe Spanjën. Luiz Felipe Scolari që gjashtë muaj më parë kishte deklaruar se ekipi amerikano-jugor, të cilit i druhet më shumë është Kili, dhe pikërisht këta të fundit do t’i gjejë përballë në raundin e 1/8. Thuhet se Felipao mund të ndërmarrë ndryshime në formacion duke i besuar ndoshta një fanellë titullari Fernandinhos, në vend të shumë diskutuarit Paulinho, që me paraqitjet e tij nuk ka bindur askënd, ndërkohë që Hulk, Fred dhe Neymar do të vazhdojnë të jenë të besuarit në fazën e sulmit. Gjithsesi Neymar, i cili e ka një karton të verdhë duhet të bëjë kujdes pasi një ndëshkim me kilianët do të bënte që të humbiste sfidën çerekfinale në rast kualifikimi. Të rrezikuar në këtë aspekt janë dhe Thiago Silva e Luiz Gustavo.

Trajneri Sampaoli nga ana e tij ka në skuadër katër futbollistë që e njohin mirë futbollin brazilian, pasi Eduardo Vargas ka luajtur për Gremion sezonin e kaluar, ndërsa Valvidia, Aranguiz dhe Mena gjithashtu aktivizohen me skuadra braziliane. Dy ekipet janë përballur tre herë në një fazë finale të kampionatit botëror dhe në të treja rastet në ndeshje me eliminim direkt. Në 1962, Brazili mundte Kilin në Santiago me rezultatin 4-2 dhe shkonte në finale për të rrëmbyer titullin e dytë botëror. Në 1998, gjithashtu Selesao fitoi 4-1 me Kilin në 1/8 duke pasur për protagonist dyshen Ronaldo-Rivaldo ndërsa në botërorin afrikano-jugor, sërish brazilianët fitonin me rezultatin 3-0.

Kombëtarja vendase nuk eliminohet në fazën e 1/8 që prej botërorit të 1990, kur u mund 1-0 nga Argjentina, ndërkohë që Kili nga ana e tij nuk arrin të kalojë 1/8 që prej botërorit të vitit 1962, kur shkonte deri në gjysmëfinale në kompeticionin që organizoi në shtëpi. Në 12 ndeshjet e fundit, Brazili ka fituar 10 dhe ka barazuar 2 dhe pritshmëritë janë të mëdha për takimin që do të luhet në “Mineirao” sidomos për Neymar, që është dhe pretendent për “Këpucën e Artë”, aq sa në ndeshjen me kilianët, kompania që e sponsorizon ka dizenjuar posaçërisht për të një palë këpucë të arta, që ai do t’i mbajë veshur në sfidën me kilianët.

Lajme të ngjashme

Back to top button