Mesazhi i muajit Ramazan

Meqë jemi fare në prag të Ramazanit, me lejoni fillimisht të ju urojë të gjithëve këtë muaj të madhërishëm, duke lutur Allahun e Gjithëmëshirshëm që tua pranojë këtë adhurim, e të na dhurojë më shumë mëshirë, begati, bereqet e unitet në vendin tonë.

Të dashur muslimanë, vëllezër dhe motra, pjesëtarë të fesë sonë të çmuar në këto troje dhe gjetiu, ja pas njëmbëdhjetë muajsh na erdhi serish muaji i bekuar, muaji më i dashur, më i çmuar, më i shtrenjtë, muaji Ramazan. Na erdhi muaji i agjërimit, i mëshirës, i shpëtimit, i devotshmërisë, i solidaritetit, i unitetit, i shëndetit fizik dhe psikik. Erdhi muaji për të cilin jemi përmalluar shumë dhe për të cilin kemi aq shumë nevojë. Në veçanti në këtë kohë të një ‘ngërçi’ politik, të një vakuumi institucional, në këtë kohë kur njerëzit janë lodhur nga premtimet e shumta e të njëpasnjëshme të liderëve politikë për të bërë ndryshime, fjalë këto të cilat tashmë nuk kanë as peshën më të vogël tek qytetarët, pasi që shumica e tyre nuk kanë më forcë tu besojnë këtyre thënieve.

Mirëpo, njerëzit i besojnë Zotit të tyre, i cili i krijoi dhe i ka në dorë ata dhe preokupimet e tyre, vetëm Ai mund të bëj ndryshime, vetëm Ai mund ta kthejë mirëqenien, bollëkun dhe vullnetin e mirë në këtë vend. Erdhi Ramazani në kohën kur kriza ekonomike po shtohet e thellohet për ditë, e padyshim njerëzit kanë nevojë për një pushim, freskim e ushqim shpirtëror i cili mbase do ti freskonte, motivonte e forconte për të vazhduar më tutje veprimtarinë dhe jetën. Erdhi muaji në të cilin zbriti Kurani, mu për këtë ndryshe quhet edhe muaji i Kuranit, libër ky në të cilin është programi i plotë dhe i përkryer i jetës sonë. E natyrisht se kushdo që i ndjekë mësimet e tij do të jetë i lumtur dhe i shpëtuar në këtë por edhe në botën tjetër.

Erdhi muaji i cili karakterizohet me efekte të shumanshme, gjithsesi pozitive, në jetën psikike, shpirtërore dhe fizike të besimtarit. Bën lidhjen e tij me Krijuesin, rregullon raportet e tij me njerëzit si dhe ndikon në përmirësimin e jetës së tij private, respektivisht me vetveten, duke filluar nga përvetësimi i shprehive të duhura, si: përmbajtja orarit, përkujdesja për ushqimin, etj. Po ashtu ai rregullon jetën e tij në raport me familjen e me shoqërinë duke e ruajtur besimtarin(en) nga fjalët e këqija, sjelljet e vrazhda e jo të hijshme e duke e bërë atë më të butë, më të dashur dhe më solidar e human, etj. Muaj ky në të cilin vërtetë ndryshon muslimani, e si jo kur ai gjatë gjithë muajit, natën dhe ditën, është në adhurim dhe përkushtim ndaj Zotit të tij, me lloj-lloj adhurimesh. Muaj ky që synon ta përngjajë njeriun me melaqe, pasi që shumë nga ta gjatë tërë vitit më shumë i ngjajnë djallit sesa melaqeve. E djalli nuk është me brirë, siç thotë populli, por është i tillë që kur vepron bënë vepra të këqija, shkakton çrregullime në tokë dhe përhap fesat, mu ashtu siç mjerisht po veprojnë shumë njerëz tek ne sot. Duke pasur parasysh këto dhe shumë urtësi e mirësi të këtij muaji të bekuar, agjërimi është bërë obligim për të gjithë njerëzit të cilët besonin Zotin që nga njeriu i parë. Ky adhurim ishte obligim për të gjithë pasuesit e feve qiellore me radhë gjerë tek ne muslimanët.

Andaj më shumë se kurdoherë më parë ky popull, këta besimtarë dhe qytetarët në përgjithësi kanë nevojë t’i kthehen Zotit të tyre, t’i përkushtohen adhurimit gjatë këtij muaji të bekuar, t’i spastrojnë shpirtrat e vet, ta heqin ndryshkun e gjynaheve që ia ka kapluar zemrat e tyre, të ofrohen mes veti, të duhen e të respektohen, të kërkojnë ndihmë dhe mëshirë nga qielli, sepse pa ndihmën e të madhit Zot nuk ka as ndryshim, as fuqi, as përmirësim e as sukses.

Andaj të dashur bashkëqytetarë, të dashur e të respektuar muslimanë, juve të cilëve aq shumë ju dua, të cilëve ua dua të mirën më shumë se çdokujt tjetër, për hir të Zotit mbajeni Ramazanin, agjëroni këtë muaj, në veçanti ju që keni agjëruar edhe më herët, por edhe ju që do të filloni në këtë muaj për herë të parë dhe do ta vëreni ndryshimin me emrin e Zotit, do të bindeni për atë që u cekë më lartë dhe për shumë çka tjetër.

Urime muaji i bekuar Ramazan, qofshi gjithmonë faqebardhë. Agjërim të lehtë e të pranuar.

Vëllai i juaj Shefqeti

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Te faleminderit Shum dr. Shefqet Krasniqi faleminderoj zotin e madherishum tani ty ja kam fillu mi fal 5 koh namaz prejsi tkam ndegju n’è youtube kismet pi allahut do ta agjeroj ramazanin.Allahi te bekoft ty qe po ma kujton neve popllit musliman muain e ramazanit elhamdulilah qe kemi edhe ne ne kosov nje njeri te menqur si ju Dr. Krasniqi e qe ja don te miren popullit te vet.Allahu ju bekoft Amin

Back to top button