Partitë politike presin paratë nga shteti për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale

Partitë politike ende presin paratë nga buxheti i shtetit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe presidenciale që u mbajtën këtë vit. Nga KSHZ-ja sqaruan se raportet e tyre janë bërë, por  pritet konfirmimi nga Kuvendi që të realizohet pagesa, transmeton Allsat.

“Sa  i përket pagesës me të cilën duhet paritë politike të marrin kompensimin për çdo votë që paguhet 15 denar KSHZ ka dërguar raportin e saj në parlamentin e Maqedonisë dhe tash në bazë të nenit 86   të kodit zgjedhor parlamenti duhet të sjell vendim me të cilën ti përcaktoj se sa çdo parti politike do të marr kompensim për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale që u mbajtën në prill 2014”, deklaroi Subhi Jakupi, KSHZ.

Nga BDI-ja thonë se duke pasur parasysh faktin që paratë të cilat partitë i marrin nga buxheti për zgjedhjet, mund të përdoren vetëm për të paguar shpenzimet e bëra për fushatën zgjedhore, është shumë me rëndësi që ato të derdhen sa më shpejtë në llogaritë e tyre, pasi, pikërisht prej tyre varet edhe pagesa për të gjithë ata që u përfshinë në fushatat zgjedhore.

“Do të kisha apeluar si sekretar i përgjithshëm i partisë që kjo të ndodh sa më shpejt sepse partitë politike kanë obligimet e tyre financiare edhe ndaj kontraktuesve tjerë të cilat i kanë pasur fushatave zgjedhore dhe sigurisht që këto mjete meqë janë të dedikuara për një qëllim të caktuar pra për fushatën ne do të mund të shlyenim edhe borxhet që i kemi ndaj kontraktuesve tjerë”, tha Abdulaqim Ademi, sekretar i përgjithshëm i BDI-së.

Nga LSDM sot nuk dëshiruan të flisnin për këtë temë. Ndërkaq, pa koment mbetën edhe ata të VMRO-DPMNE-së.

Lajme të ngjashme

Back to top button