Kabineti i kryeministrit ka publikuar konkurs për drejtues dhe këshilltarë

Kabineti i kryeministrit të Republikës së Maqedonisë ka publikuar konkurs për angazhimin e personave në pozita drejtuese dhe jo drejtuese dhe për këshilltarë në më shumë fusha.

Konkurset janë publikuar sot, ndërsa personat e interesuar do të mund të aplikojnë në mënyrë elektronike deri më 14 korrik 2014. Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Aleksandar Gjorgjiev tha se do të kërkohen persona për pozita drejtuese dhe jodrejtuese nga fusha e investimeve të huaja, mbështetja e ekonomisë vendore, burimet njerëzore, protokoll dhe drejtësi.

Gjorgjiev potencoi se angazhimi i personave të rinj është në funksion të zgjerimit të potencialit njerëzor në Kabinetin e kryeministrit me qëllim të realizimit të programit qeveritar për periudhën e ardhshme. “Japim mundësi të barabartë për të gjithë të cilët dëshirojnë të aplikojnë. Nuk do të ketë kurrfarë favorizimi.

Kriteri i vetëm gjatë zgjedhjes do të jetë aftësia personale, arsimi, njohja e gjuhëve të huaja dhe potenciali i vetë kandidatit”, potencoi Gjorgjiev.

Këshilltarët, siç shtoi, do të jenë për çështje politike, BE, punë të jashtme, mjedis jetësor, xehetari dhe burime minerale, kulturë, ekonomi, sipërmarrje, industri dhe inovacione, bujqësi, jurisprudencë dhe administratë, energjetikë, transport dhe lidhje, teknologji informatike dhe telekomunikime dhe për vetëqeverisje lokale.

Në dy konkurset mund të paraqiten të gjithë personat e interesuar të cilët i plotësojnë kriteret e shpalljes, ndërsa do të zbatohen në pajtim me aftësitë e tyre, arsimin, përvojën dhe kapacitetin personal.

Lajme të ngjashme

Back to top button