Ademi: Në shkollat e mesme u regjistruan 12.551 nxënës, mbeten edhe 22.436 vende të lira

Nga gjithsej 22.058 nxënës të klasave të teta, 17.982 kanë dorëzuar dokumente për regjistrim në shkollat e mesme në paraqitjen e parë të afatit të parë regjistrues që u realizua më 23 dhe 24 qershor, theksoi ministri i arsimit dhe shkencës Abdilaqim Ademi në konferencën për gazetarë.

Sipas rezultateve, të cilat u shpallën më 25 qershor, 12.551 semimaturantë janë regjistruar në ndonjë prej shkollave të mesme në Republikën e Maqedonisë. Prej tyre 9.547 nxënës mësimin do ta ndjekin në gjuhën maqedonase, 2.761 në gjuhën shqipe, ndërsa 143 nxënës do të mësojnë në gjuhën turke. Sipas llojit të arsimimit, 5.603 nxënës u regjistruan në gjimnaze, 6.792 nxënës në arsimin profesional dhe 156 nxënës në Akademinë e sporteve. Ademi njoftoi edhe për numrin e vendeve të lira që kanë mbetur  nëpër shkolla.

“Për paraqitjen e dytë në afatin e parë regjistrues që do të realizohet më 30 qershor dhe me 1 korrik, ndërsa rezultatet do të shpallen më 3 korrik, vende të lira ka për gjithsej 22.436 nxënës, prej të cilave 15.001 vende të lira për mësim në gjuhën maqedonase, 6.618 për mësim në gjuhën shqipe, 775 për mësim në gjuhën turke, 34 për mësim në gjuhën serbe dhe 8 vende të lira për përsëritës. Ndërsa, sipas llojit të arsimit, gjithsej 5.756 vende të lira ka në gjimnaze, 16.632 vende të lira në arsimin profesional dhe 48 vende të lira në Akademinë e sporteve. Në numrin e përgjithshëm të nxënësve të regjistruar dhe vendeve të lira për paraqitjen e dytë, nuk është llogaritur numri i nxënësve nga shkollat e mesme të muzikës dhe shkollës së mesme të arteve aplikative, meqë nxënësit në këto shkolla do t’u nënshtrohen provimeve plotësuese për pranim”, tha Ademi

Afati i dytë regjistrues është më 21 gusht, ndërsa rezultatet nga regjistrimi i nxënësve dhe vendet e lira do të shpallen më 22 gusht. Në shkollat, në të cilat edhe pas afatit të dytë regjistrues do të ketë vende të lira, do të mund të regjistrohen nxënës deri më 29 gusht.

Sipas Konkursit të regjistrimit të nxënësve në shkollat e mesme publike në Republikën e Maqedonisë në vitin shkollor 2014/2015 janë ofruar gjithsej 35.185 vende të lira, prej të cilave 23.384 për arsim të mesëm profesional, 11.189 për gjimnaze, 408 për atë të arteve dhe 204 vende për Akademinë e sporteve në Shkup së bashku me paralelet e dispersuara në 7 komuna tjera.

“Në mënyrë plotësuese, në fillim të kësaj jave, ishte shpallur edhe konkursi për drejtimet, profilet dhe paralelet për shkollën e mesme të re të qytetit të Shkupit në Shuto Orizarë dhe i njejti parashikoi regjistrimin në 5 paralele, nga një për drejtimin e shëndetësisë, drejtimin ndërtimor-gjeodezik, drejtimin hotelieri-turistik, drejtimin ekonomiko-juridik dhe tregtar dhe shërbime personale”, tha Ademi.

Ministri u bëri thirje semimaturantëve, të cilët ende nuk janë paraqitur për regjistrim, ta bëjnë këtë në periudhën e ardhshme, sepse arsimi i mesëm është i obligueshëm për të gjithë. Ademi theksoi se gjatë zgjedhjes së shkollës, nxënësit duhet të orientohen sipas afiniteteve personale ndaj një profesioni të caktuar, por edhe të informohen për deficitin e drejtimeve të caktuara në tregun e punës, me të cilat pas përfundimit të arsimit të mesëm, shumë më lehtë mund të arrijnë deri te një angazhim në punë përkatëse.

 

 

 

 

Lajme të ngjashme

Back to top button