fbpx

Ditar Ramazani-1

Dita nis me të thirrur të ezanit të sabahut. Por tek ne, di të nis edhe me të thirrur ezani i xhumasë, ose të ikindisë.

Puna nis menjëherë pas namazit të sabahut, tek ne fillon pas namazit të xhumasë. Blegtoria dhe bujqësia janë dy profesione që në praktikë, atje larg respektohen shumë. Ndërsa tek ne, edhe pse në teori janë profesione të shenjta ose dhuratë prej Zotit,janë lënë djerrë. Me këtë gjë është lënë djerrë edhe vet qenia jonë fizike. Po të shikohemi në pasqyrë, në gjithçka ngjajmë pos në popull punëtor.

Të ankuarit është cilësi e grave, ndërsa tek ne i dëgjon burrat. Gjitha fajet ia lënë Zotit për dembelizmin e tyre. Ankesa menjëherë pas grave është cilësi e të dobëtëve, fukarenjve, ndërsa tek ne, më shumë ankohen të pasurit. Po trokite në derën e tyre për ndihmë, menjëherë ta tregojnë listën e borxheve që kanë ndaj njerëzve, për ngërçin e punës që i paska kapur, për problemet që i shkakton shteti, për e për….

Atje larg diku, drejtësinë e kanë shndërruar në sistem jete. Edhe pse pa fe, pa moral, pa natyrë të pastër shpirtërore, sistemi i drejtësisë i tyre është  vet feja, morali, natyra e pastër.

Tek ne, edhe pse kemi dhuratën më të madhe në rruzullin tokësor Kur`anin, sistemi i drejtësisë është diçka e fundit që vjen në rend dite. Të padrejtë ndaj vetes, duke mos falur namazin e sabahut në kohë. Të padrejtë ndaj familjes duke mos i siguruar si duhet kushtet elementare për jetesë, të padrejtë ndaj komshinjve duke i vjedhur pjesë prone, të padrejtë ndaj shoqërisë, duke nxënë vende që nuk i meritojmë. Të padrejtë ndaj Zotit, duke e akuzuar Zotin për padrejtësinë tonë. Padrejtësia tek ne, është shndërruar në sistem jete.

Atje larg diku e ke të vështirë të gjesh vende të papastra. Edhe të hedhësh mbeturinat në rrugë, praktikisht është turp. Tek ne, në teori është turp të mos kujdesesh për pastërtinë, të ndotësh ambientin, ndërsa në praktikë, nuk mund të dalim nga llomi që e shkaktojmë vet.

Mund t`i krahasojmë malet e tyre me malet tona të prera me vend e pa vend. Njashtu edhe lumenjtë e tyre prej lumenjve tanë kanë shumë dallim. Zoti i ka dhënë pasuri edhe atyre edhe neve, por ne me padrejtësinë e pakujdesinë tonë, po e humbim atë pasuri.

A nuk jemi ne ata mysliman që Zoti na ka pajisur me këtë fe të pastërtisë, paqes, mirëqenies, punës e tolerancës? Ndonjëherë hutohem me këtë pyetje. Nuk dyshoj në fenë e paqes, por hutohem në ‘ myslimanizmin’ tonë. Sa larg kësaj feje jemi.

Sa larg sunnetit të Pejgamberit Muhammed alejhi selam jemi.

Sa larg urdhrave të Zotit jemi.

Sa larg të parëve tanë Osmanlinj jemi.

Ramazani, kthim në identitet.

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close