fbpx

La La La

Ditët para Ramazanit janë ideale për të qëndruar më gjatë në qytet,  të vjen të jesh sa më gjatë jashtë para se të biem në gjumë agjërimi, si arushat dimrit. Ashtu vjen fjala, se as nuk zgjohem më vonë se rëndom, as nuk më duket që ka ndonjë logjikë apo hijeshi muaji më i bukur i vitit të kalohet duke fjetur!?

Veçmë ka nisur të ndihet në atmosferë afrimi i muajit që në përkthim nga Ramadan don të thotë i nxehtë shumë, të themi përcëllues. Ama ani…

Më pëlqen kur bën nxehtë shumë.

Bile më pyesin a jam rrezitur që paskam fituar ngjyrë.

Shumë orë mbi rërë demek për bukuri më duket një lloj budallallëku modern, më shumë zijan se sa qar.

Rrezitem duke shetitur.

Kështu këto ditë parafestive, me punë dhe me jopunë, i kaloj kryesisht në Çarshi. Dje, para muzgut, e kalova lumin dhe u ula për pak pauzë afër Qendrës memoriale të Nënë Terezës, dhe për herë të parë më ra në sy portreti i saj varur në murin kah shetitorja, fytyra që shkëlqen, ai Nur prej Brenda: disave me kalimin e kohës ose si rezultat i sfidave nuri u zbehet, kurse disave si Nënës së madhe sa më shumë që plaken aq më shumë u rrezëllin ndriçimi që dëshmon biografinë. Teksa vështroja fytyrën më kujtoheshin detajet që më ka rrëfyer Antoni (Sereqi) për kushërirën e vet, dhe me difolt m’u mpiks mendimi që me difolt paraqitet kur gjendesh para fytyrës më të njohur shqiptare – sa bëjmë apo s’bëjmë për të shtuar një guralec në ngrehinën madhështore të saj si amanet njerëzor.

U çova vonë prej aty me habinë se çfarë më mbajti ashtu gjatë në ato ulëse në rrugën e çallëmxhinjëve Makedonija ku ulem zakonisht vetëm disa minuta, sa zgjat një cigare, për shembull.

Në mbrëmje gjatë ndeshjes, siq thotë dhe lajmi në këtë portal: Shaqiri-Honduras 3:0, e kuptova parandjenjën që më shtyri të qëndroj gjatë para portretit të Nënë Terezës.

Paska qenë uverturë në Mbrëmjen Shqiptare.

Sot para se të ulesha të shkruaj, e luta Barletin për brifing të shkurtër, ai recitoi: Admir Mehmedi që e ka thyer akullin pak minuta pas hyrjes në lojë si zëvendësim, Blerim Xhemaili me super goditjen nga faulli,  në po atë ndeshje projektili i Granit Xhakës dhe së fundi ky hat-trick (e mësova fjalën) i Xherdan Shaqirit: më tregon mandej se gjithë pikat e deritanishme të Kombëtares zvicerane në Kampionat i kanë shënuar lojtarët shqiptarë, me përjashtim të goditjes së Seferoviqit që e mundësoi Valon Behrami, më kujtohet akcioni.

Shaqiri e përcolli në mënyrë fantastike emrin shqiptar në orbitën globale.

Na bëri të ndihemi krenar për atë që jemi, nuk ndodh përditë, dhe nuk do ishte interesant të na vërshonte përditë ky emocion.

Sot kudo në botën shqiptare dhe jo vetëm aty, bisedat sportive dhe jo vetëm ato nisin me Shkëlqimin mbrëmë, bile edhe femrat marrim guximin të flasim për futbollin, ja disa edhe të shkruajmë, nuk më besohet.

Shaqiri na mbajti lekcion për Talentin dhe Përkushtimin.

Në vigjilje të Festimit musliman, le të përkujtohemi se është mëkat kur dhuntia (nga Zoti) nuk vehet në përdorim, ndërsa Puna është ibadet.

Sot është një ditë ndryshe nga tjerat, Xherdan Shaqiri na bëri më zemërhapur sot se dje.

Tamam si hymni i Brazilit 2014:

La la la la la la la

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button
Close