Memeti: Viktimat e torturës të flasin me zë të lartë

Viktimat e torturës të mos heshtin dhe të flasin me zë për torturën e cila u shkaktohet, thotë në mesazhin me rastin e Ditës ndërkombëtare për mbështetjen e viktimave nga tortura, Avokati i popullit i Republikës së Maqedonisë, Ixhet Memeti.

“Lufta kundër torturës duhet të zhvillohet çdo ditë, pasi që e njëjta është absolutisht e ndaluar dhe e palejueshme pa dallim se cili është qëllimi për të cilin është bërë”,ntheksohet në mesazh.

Ky vit, siç thotë Memeti i është përkushtuar inkurajimit të viktimave që të mos heshtin dhe të flasin me zë të lartë për torturën e cila u është shkaktuar. “Ata të cilët janë shkaktarë të torturës e duan heshtjen. Derisa e vërteta heshtet ekzistojnë rreziqe që tortura të përsëritet në vendet e privimit nga liria”, shton ai.

Roli i Avokatit të popullit si mekanizëm parandalues në luftën me torturën është, siç potencoi Memeti, t’i dëgjojë, por edhe t’i inkurajojë viktimat për ta paraqitur torturën.

“Tortura nuk do të thotë vetëm përgjegjësi individuale e autorëve përmes dënimit efikas, por edhe përgjegjësi e shoqërisë për mbështetje efektive dhe të vazhdueshme të viktimave nga tortura, si dhe ndërmarrje e masave me qëllim të zvogëlimit të kësaj dukurie në të ardhmen. Inkurajimi që publikisht të paraqiten rastet e torturës është i rëndësishëm, pasi që me këtë akt jo vetëm se shkaktohet dhimbje fizike dhe psikike, por shkelet edhe dinjiteti njerëzor, si dhe integriteti personal i personave mbi të cilët zbatohet”, thuhet në mesazh.

Memeti thekson se që të inkurajohen viktimat nga tortura hapur dhe qartë të flasin për këtë shkelje komplekse të të drejtave nevojitet edhe garanci të cilën duhet ta sigurojë shteti, përmes kornizës ligjore me të cilën ndalohet tortura, por edhe organe efikase të cilat do t’i ndërmarrin të gjitha masat në zbulimin dhe dënimin e autorëve nga tortura.

Lajme të ngjashme

Back to top button