Thaçi: Çështja që na shqetëson është mungesa e perspektivës euroatlantike

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi në selinë e partisë në Tetovë priti në takim delegacionin e Grupi Parlamentar nga Britania e Madhe të përfaqësuar nga deputetët: Stuart Andrew (Partia Konservatore), Clive Betts (Partia e Punës), Karen Lumley (Partia Konservatore), Gemma Doyle (Partia e Punës), Lucy Lermer (koordinatore), të shoqëruar nga Ambasadori i Britanisë së Madhe në vend, Charles Garrett,

Në takim u diskutua për të gjitha zhvillimet në vend dhe rajon, zhbllokimin e procesit integrues, si dhe tema të tjera me interes.

Kryetari Thaçi në takim shprehu kënaqësi nga vizita me shpresë për vazhdimin e bashkëpunimit, veçanërisht në aspekt të përkrahjes nga Britania e Madhe në rrugën tonë drejt integrimit në BE dhe NATO, duke ditur se Britania e Madhe është pjesëmarrëse në mekanizmat e BE-së dhe të NATO-s. Në këtë drejtim Kryetari Thaçi theksoi se çështja e cila të gjithëve na shqetëson është mungesa e perspektivës euroatlantike dhe se është tepër e nevojshme që të kyçen edhe faktorë të tretë shumë më të fuqishëm të cilët do të bëjnë presion ndaj të dy palëve deri sa të arrihet lëvizje drejt arritjes së kompromisit.

Bashkëbiseduesit u pajtuan se kjo vizitë është sinjal i rëndësishëm për interesin që e ka Britania e Madhe për zhvillimin e kapaciteteve demokratike në vend dhe për mbështetjen e proceseve që po zhvillohen në rajon.

Kryetari Thaçi theksoi se PDSH do të jetë opozitë konstruktive dhe nuk do të bëhet pengesë në asnjë moment, nëse qeveria i qaset me seriozitet premtimeve të veta që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe në BE, si dhe kuptohet avancimin e të drejtave të shqiptarëve drejt një barazie të plotë me Maqedonasit.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button