Liria, e drejtë e dhënë nga Zoti apo lideri?

Është shumë e lehtë politika. Megjithëse vetë asnjeherë nuk jam marrë me të, sepse nuk e kam konsideruar të moralshme të luash rolin e Zotit dhe të manipulosh me fatet e një populli të tërë. I vetmi qëllim në dukje për secilin udhëheqës politik është që të manipulojë me vëmendjen e popullit, duke e kaluar atë nga një qendër vëmendjeje në një tjetër në bazë të nevojave të partisë dhe synimeve individuale.

Është shumë më e lehtë përshembull sesa të merresh me biznes, sepse në biznes duhet të krijosh një ide me të cilën do të arrish profit, duke shfrytëzuar të gjitha resurset personale dhe të bashkëpunëtorëve të tu për të arritur qëllimet e afarizmit. Në politikë mjeshtria është të manipulosh me masat e zgjedhësve, dhe nuk të nevojitet ideja më tej sesa gjatë kampanjave zgjedhore. Të paktën kështu funksionon në hapësirat tona ballkanike. Ndërkaq në biznes po nuk pate inovacion dhe zhvillim të vazhdueshëm të idesë afariste, je i destinuar për dështim. Kjo është valutë univerzale e afarizmit.

Nëse afaristi i suksesshëm nuk është në gjendje të zhvillojë idenë e vet duke iu përshtatur rrethanave të tregut dhe rrethanave të cilat nuk varen drejtpërdrejt nga ai, atëherë me siguri që nuk do të mund të mbijetojë gjatë. Ndërkaq politika ka mënyrë tjetër të funksionimit. Që një lider politik të ketë ardhmëri të gjatë dhe të suksesshme duhet t’iu përshtatet momenteve specifike duke përdorur dinakëri dhe mjeshtri manipulimi me të tjerët. Një ide e cila mua për vete më duket e sëmurë, por në mënyrë të tillë funksionon – të paktën në Ballkan. Merrni shembull cilindoni politikan që ka arritur të etablohet në shoqëri, do të shihni se mbijetesa e tyre varet nga mjeshtria për të manipuluar.

E bëra një analogji të këtillë për të treguar që sidoqoftë edhe politika është një lloj biznesi, por me atë që nëse lideri është i aftë dhe dinak, mund të krijojë një biznes monopolist duke mbisunduar me të gjitha sferat e jetës në shtet. Duke arritur këtë, ai ka mundësinë që të mbyllë dhe të hapë cilëndo pore të shoqërisë, duke ia përshtatur këto lëvizje nevojave të veta. Një monopol i këtillë i skajshëm politik është sindrom i rrezikshëm i cili e ka kapluar shoqërinë tonë që nga filizat e shtetësisë. Vetëm fytyrat janë ndërruar, edhe atë jo sepse populli ka dashur, por sepse ata vetë janë lodhur nga fuqia. Fuqia të lodh, të këput, të shtrydh nga ana morale dhe psikologjike.

Politika është futur nën lëkurën e secilit prej nesh. Në një farë mënyrë, të gjithë janë shërndruar në pjesëmarrës të opinionit publik. Megjithëse aftësia e këtij opinioni publik për të ndërmarrë masa për të ndryshuar dhe përmirësuar jetën publike është gati zero. Sepse e gjithë fuqia vendimmarrëse është koncentruar në liderin. Pra të gjithë ne mund të shkruajmë e të flasim e të debatojmë sa të duam, përderisa nuk i cënojmë në mënyrë direkte interesat e partisë dhe liderit. E para, asgjë nuk do të ndryshojë sepse e tërë fuqia manipuluese dhe dirigjuese është e koncentruar në qendrat politike të vendit. Me këtë vlera e opinionit publik është gati zero. E dyta, nëse këtyre qendrave politike ju pengon prezenca e dikujt në opinion atëherë përdorin fuqinë e vet për të nënshtruar këtë zë disident.

Ka një nocion në mjekësi që duhet KOMË. Në një gjendje të këtillë vegjetative ndodhemi ne sot si shoqëri dhe si opinion publik. Si pacienti që është në gjendje kome dhe që dirigjohet nga aparatet që e mbajnë gjallë, në të njejtën derexhe na kanë futur politikanët. Të gjithë jemi të kontrolluar dhe të dirigjuar nga aparati shtetëror. Do të vazhdojmë të mbetemi vegjetativë, përderisa nuk lirohemi nga prangat dhe kërkojmë që të bëjet revolucion. Por jo revolucion me armë, por një revolucion i mendjes dhe mendësisë në shoqëri. Revolucion i cili do të krijojë kushtet që mendimi i secilit të respektohet në mënyrë demokratike, pa patur nevojë për ta shtypur sepse qendrave politike ky mendim i lirë nuk ju shkon për shtati. Si të arrijmë këtë? Atëherë kur të kuptojmë që liria e mendimin dhe e shprehjes është e drejtë e shenjtë, e falur nga Zoti dhe si e tillë nuk guxon askush dhe asgjë ta manipulojë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button