Gjykimi i Naserit, javën që vjen, ekspertiza e dëshmive vonohet

Për shkak të vonesës së procedurës së ekspertizës së fakteve dhe dëshmive, prokurori ka vendosur që gjykimi i të dyshuarit Naser E,  të shtyhet për javën tjetër.

Avokati mbrojtës Rubin Dvojakov bën të ditur se gjykimi ishte dashur të fillojë qysh në fillim të kësaj jave po për shkak të vonesës së procedurës së ekspertizës ai është shtyer për javën që vjen.

“Këtë javë duhej të fillonte paraqitja e dëshmive në gjykatë, mirëpo siç duket procedura e ekspertizës së dëshmive po zgjat ende dhe për këtë arsye gjykimi shtyhet për javën e ardhshme”, tha për Portalb, Dvojakov.

Edhe pse nuk lejohet që të flitet për dëshmitë që ka pala mbrojtëse, Dvojakov bën të ditur se ka mjaft dëshmi të cilat vërtetojnë se vrasja ishte kryer në vetëmbrojtje.

Ndërkaq për shkak të vonesës së procedurave, Naserit i është shtyer edhe paraburgimi.

Redaksia e Portalb, disa herë tentoi që të kontaktojë me familjarët e Naserit, por ata refuzuan që të flasin për këtë rast, megjithatë kohë më parë ata thanë se djali i tyre është i pafajshëm dhe shpresojnë që e vërteta të del në pah.

Vrasja ndodhi më 19 maj në lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit në afërsi të një spitali të syve, por akoma nuk ka asnjë detaj se si ka ndodhur vrasja, përkundër spekulimeve të ndryshme që mbizotëruan këtë ngjarje tragjike.

Janë disa versione që janë plasuar lidhur me vrasjen, por janë edhe dëshmitë e autorit të dyshuar të vrasjes. Naser.E janë se ai ishte sulmuar me thikë nga viktima që ka ndërruar jetë dhe se në mbrojtje, tragjikisht është therur Angel.P.

Kjo vrasje nxiti tensione etnike dhe protesta të maqedonasve, të cilët dogjën dhe demoluan dyqane dhe lokale të shqiptarëve në lagjen Gjorçe Petrov në Shkup.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button