Avokati i Popullit sërish alarmon për gjendjen e rëndë në burgje

Avokati i Popullit ka alarmuar sërish opinionin për gjendjen e rëndë në burgje, institucionet ndëshkuese dhe ato të privimit nga liria. Në raportin e fundit të Avokatit të Popullit i cili bazohet në vizitat nëpër burgje, thuhet se rekomandimet e avokatit pranohen vetëm në mënyrë deklarative, por të njëjtat nuk zbatohen,.

“Kjo dukuri është shqetësuese kur informojnë me shkrim se po, pranojmë rekomandimet, ashtu janë gjendjet dhe do ti përmirësojmë, në anën tjetër nuk marrin veprime për përmirësimin e tyre. Në përgjithësi, sa u përket burgjeve, gjendja në to në vende të ndryshme, jo që është përmirësuar, por ka raste ku është keqësuar”, deklaroi Ixhet Memeti, Avokat i Popullit.

Gjendje shumë e rëndë është konstatuar sidomos në Burgun e Tetovës. Delegacioni i Avokatit të Popullit ka konstatuar dhunë dhe trajtim çnjerëzor ndaj të burgosurve, të mitur që flinin në krevate pa dyshekë. Përveç kësaj, në këtë burg nuk ka mjek të pranishëm për çdo ditë dhe në çdo kohë, për shkak se mjeku i njëjtë kujdeset edhe për Burgun e Velesit.

“Vazhdojnë ankesat se ka dhunë dhe trajtim johuman nga ana e shërbimeve të Entit Ndëshkues Korrektues Tetovë, për çka me raport të veçantë është alarmuar Ministria e Drejtësisë, e cila nuk ka ndërmarrë masa. Shqetëson gjendja se ankesat janë për të njëjtët nëpunës, që çon në përfundim se sistemi i ndëshkimit është joefikas, në rastet e trajtimit johuman ose brutal”, tha Ixhet Memeti, Avokat i Popullit.

Avokati i Popullit ka konfirmuar gjithashtu edhe shqetësimet për trajtim çnjerëzor të emigrantëve në Qendrën për të huaj, ndërsa ka konstatuar kushte të rënda edhe në institucione të tjera.

Lajme të ngjashme

Back to top button