Shqipëri, ja se si vidhen portofolat në autobusët urbanë (Video)

Në autobusët urbanë të Tiranës shqetësim nuk janë vetëm ecja e ngadaltë apo era e djersës në urbanin e tejmbushur. Por janë edhe hajdutët e xhepave, që shpesh veprojnë në grupe dhe ndonjëherë përfitojnë edhe nga indiferenca e shoferëve dhe e faturinove të cilët zakonisht i njohin.

“A1 Report” sjell videon e filmuar me celular në një moment të tentativës për të vjedhur portofolin nga xhepat e një udhëtari të urbanit dhe që mban datën 22 qershor.

Sipas shpjegimit të videos në urban ka patur edhe kacafytje mes shoferit dhe hajdutit, i cili ndihmohej nga një person tjetër për të dalë më pas nga autobusi, dhe që sipas të njëjtit shpjegim dyshohet se është bashkëpunëtor në vjedhje.

Në audion e videos dëgjohet komunikimi me sallën operative të policisë, duke kërkuar ndërhyrjen dhe mbërritjen e uniformave blu, teksa jepet edhe drejtimi i lëvizjes së urbanit nga “Treni” tek “Zogu i Zi”.

Dhe ndërsa personi i dytë kërkonte të hapej dera e autobusit me pretekstin se kishte emergjencë të dilte duke tërhequr vëmendjen e pasagjerëve të tjerë, hajduti arriti të lëvizë nga mesi i autobusit për në derën e përparme pranë shoferit dhe të hapë atë me forcë për të dalë.

Në një moment hajdutit i ka ngecur edhe këpuca, por në videon e filmuar me celular duket momenti kur ai lirohet dhe largohet me shpejtësi./ Shqiptarja.com

Lajme të ngjashme

Back to top button