Calster: Belgjika mbështet implementimin e Marrëveshjes së Ohrit

Zëvendës kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Musa Xhaferri sot (e Mërkurë, 25.06.2014) u takua me Ambasadoren e Mbretërisë së Belgjikës Amick Van Calster, rezidente në Sofje, e cila përveç Bullgarisë mbulon edhe Maqedoninë, Kosovën dhe Shqipërinë.

Në këtë takim të parë bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime e njohuri rreth situatës politike në vend dhe rajon, rreth procesit të integrimit të rajonit dhe në veçanti të Maqedonisë në Bashkimin Evropian, rreth implementimit të Marrëveshjes së Ohrit si dhe temave të tjera me interes të përbashkët.

Zëvendëskryeministri Xhaferri e njohu ambasadoren me programin e Qeverisë së re, duke theksuar se integrimi në NATO dhe BE, si dhe implementimi i Marrëveshjes kornizë të Ohrit, janë disa nga prioritete të kabinetit të ri qeveritar.

Bashkëbiseduesit konstatuan se bashkëpunimi i dy qeverive, përkatësisht i Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit me qeverinë belge, është i mirë dhe në të njëjtën kohë u dakorduan që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në shfrytëzimin e eksperiencës pozitive që Belgjika ka në politikat gjuhësore, decentralizimin dhe zhvillimin rajonal, dhe bashkëjetesën, shtylla kryesore këto të dokumentit paqësor të Ohrit.

Ambasadorja Van Calster theksoi se Belgjika mbështet implementimin e Marrëveshjes së Ohrit si një dokument që ka vënë bazat e shtetit shumetnik dhe ka hapur perspektivat evropiane të tij.

Lajme të ngjashme

Back to top button