Muaji i agjërimit

Muaji i Ramazanit duhet të jetë shembëlltyrë e jetës sonë.  Të përgatitur për të jetuar nën ndikimin e Muajit të agjërimit, si komunitet apo si etni, do të jemi më të shëndoshë, më solidar, më të dashur, më fisnik, më human, thjesht si një trup, me imunitet të pathyeshëm që e lufton virusin e përçarjes, mohimin e njëri tjetrit, ngritjen e kurtheve, të intrigave … Ky është mesazhi që del nga Muaji i Ramazanit.

Agjërimi është një nga pesë shtyllat kryesore të Fesë Islame.  Për nga aspekti socio-fetar agjërimi është një nga institucionet bazë për një shoqëri të shëndoshë, ndërsa për nga aspekti fillozofik është bahçe ku zë fill devotshmëria, fushëbeteja ku e mira ngjadhnjen mbi të keqen. Agjërim nuk do të thotë vetëm heqje dorë përkohësisht nga haja, pija dhe kënaqësitë e rëndomta. Agjërim do të thotë diçka më shumë – shpëlarje e përjetshme trupore dhe shpirtërore (shumë më shumë se katarsisi i filozofëve grekë). Duhet të jetë shpëlartje e përjetshme, sepse, pikërisht gjatë këtij procesi, në Muajin e Shenjtë të Ramazanit, zbriti Kur’ani Madhështor,  Kodi i Shenjtë i veprimeve dhe i sjelljeve që na e garanton devotshmërinë tonë, repsketivisht, Kënaqësinë e Allahut me ne, me krijesat e Veta.  Pra, jo rastësisht agjërimi u bë obligim pikërisht në këtë muaj. Agjërimi duhet të jetë i plotë, i përgjithshëm (frontal).  Logjika e cila e përkufizon agjërimin si akt abstenimi i përkohëshëm vetëm nga tri gjëra (nga ushqimi, pija dhe plotësimi i nevojave seksuale prej syfyrit e deri në iftar), dhe si akt që zgjatë herë 29 e herë 30 ditë, është një logjikë shabllone,  e cila, përtej kuptimit të vet të ngushtë, fton edhe në hedhjen e hapit në shfrenim.  Kjo logjikë nënkupton se me tridhjetë ditë agjërim ne e kemi kryer obligimin dhe për muajt e tjerë të vitit “jemi të lirë”, “e kemi lejen” për t’u hedhur në shfrenim!  Allahu xh.sh. në Kur’an pyet: ”A ta tërheqim Përkujtimin (Kuranin) prej jush ngaqë jeni popull i shfrenuar? “(43:5) Kurse për të shfrenuarit ndëshkimi është shumë i rëndë, katastrofal: ”Eh, sa e sa fshatra e qytete i kemi zhdukur Ne, sepse banorët e tyre bënin jetë të shfrenuar…” (28:58)

Regjimi i abstenimit të përkufizuar po na vleka vetëm 29 apo 30 ditë? Pas kësaj nuk kemi obligim që të përforcojmë ndjenjat e solidaritetit, të humanitetit, të përkushtimit, të dashurisë, të madhërimit?! Muaji i Ramazanit është muaj më i shenjtë dhe më i vlefshëm se të gjithë muajt e tjerë. Meqë qenka i këtillë, vetëvetiu ftohemi që, nën hijen e kësaj shenjtërie, t’i kalojmë edhe muajt e tjerë. Edhe gjatë muajve të tjerë, d.m.th., përgjatë tërë vitit ne, si muslimanë të devotshëm, aderojmë kah e mira, kah e mbara, kah e pëlqyeshmja, kah kënaqësia e Allahut xh.sh.

Agjërimi bëhet për Allahun xh.sh.

Zakonisht, muaji i Ramazanit është muaj kur shtohen ibadetet, kur ibadetet kryhen me një përkushtim më të theksuar. Së këndejmi, sakaq zbuten intrigat, zënkat, thashethemet, ndërkëmbëzat, madje ulen edhe armët nëpër fushëbeteja. Kjo për faktin se çdo ditë e agjërimit është festë shpirtërore. Asnjë agjërues nuk do të donte që t’i prishej kjo “gjendje solemne” e shpirtit.  Parreshtur do të përkujdeset që nën këtë atmosferë festive t’i kryente të gjitha ibadetet.  Shpirti e kërkon një atmosferë përgjithësisht të çtensionuar . Dhe kjo ndodhë pikërisht për faktin se, gjatë agjërimit, shejtani prangoset pas dyerve të mbyllura të xhehenemit.

Ramazani është muaji i Allahut. Në këtë muaj hapen dyert e xhenetit, pra, mbyllen dyert e xhehenemit. E cili është ai musliman që nuk do të dëshironte që,  përgjatë tërë vitit, madje përgjatë tërë jetës së vet, t’i ketë të hapura dyert e xhenetit? Dhe, vijmë deri te konstatimi i nënvizuar më sipër se, agjërimi duhet të jetë i plotë, i gjithënashëm dhe “fronta”! Dyert e xhenetit do t’i kemi të hapur vetëm nëse për çdo çast e sekond të jetës sonë i qasemi me po atë atmosferë festive që na e përshkon  shpirtin gjatë 30 ditëve agjërim.

Abdullah ibn ‘Abbasi tregon se e kishte dëgjuar Pejgamberin  a.s. duke thënë: “Çdo natë në muajin e Ramazanit Allahu i Madhërishëm e i Lartësuar thërret tri herë: A ka ndonjë që kërkon prej Meje, që t’ia plotësoj kërkesën? A ka ndonjë që kthehet drejt Meje me pendesë, që Unë të kthehem drejt tij (me mëshirë)? A ka ndonjë që Më kërkon falje, që Unë ta fal?” Nën dritën e këtij hadithi pasqyrohet mesazhi i devotshmërisë. Cili musliman do t’i rrekej sërish mbrapështive pasi të ketë fituar Faljen e Allahut xh.sh.!  Natyrisht, kjo Mëshirë dhe kjo Falje do të ruhej amshueshëm vetëm nga ai i cili agjërimin e vet e shtrinë në shumë dimensione të cilat mund të konceptohen si fije të lidhura që përbëjnë kabllon e çeliktë të besimit.

Gjatë Muajit të Ramazanit, në proces agjërimi është çdo pjesë e trupit tonë. Jo vetëm barku e shpirti që heq dorë përkohësisht nga kënaqësia, por në agjërim është edhe truri. Duke abstenuar nga të menduarit keq e mbrapsht, truri ynë na dërgon sinjale se, kjo është ajo kënaqësi pas së cilës duhet rë rendim, ta kapim e ta ruajmë me xhelozi dhe ta përjetojmë gjatë tërë jetës sonë! Gjatë Ramazanit, në agjërim e sipër është edhe goja e cila, duke abstenuar nga thashtehemet, sharjet e ofendimet muslimanin e bën më të mirë dhe më të pashëm, më të sinqertë e më të vyrtytshëm; agjëron edhe syri duke hequr dorë nga vështrimet djallëzore dhe duke e kalitur të pamurit e gjerave të bukura, artistike, estetike e morale. Gjatë Muajit të Ramazanit agjëron veshi duke hequr dorë nga përgjimi, nga dëgjimi i antivlerave, me ç’rast hapen portat e shpirtit për muzikalitet, për vija muzikore që dalin prej fjalëve të ëmbëla, prej tingujve të bukur, prej melizmave që freskojnë shpirt e zemër. Në Ramazan agjëron edhe dora duke abstenuar nga vjedhja (edhe nga vjedhja e shpirtit), agjëron zemra duke abstenuar nga lakmia dhe tundimi që shkaktohen nga djalli! Arrihen këto abstenime sepse agjërimi është për Allahun xh.sh.  Para Tij, gjithmonë, në çdo fraksion të sekondës, duhet të jemi të pastër, të çiltër, të sinqertë, me besim të paluhatshëm dhe të devotshëm. Muaji i Ramazanit duhet të konceptohet vetëm si pikënisje në këtë udhëtim drejt arritjes së kënaqësisë së Krijuesit tonë me ne.

Pejgamberi a.s.  ka thene: “Është një portë në Xhenet që quhet Rejjan, nga e cila do të hyjnë agjëruesit Ditën e Ringjalljes dhe askush tjetër…” Natyrishty, kjo nuk mund të arrihet përmes “agjërimit sezonal”, përmes kryerjes së agjërimit “si formalitet”! Agjërimi është vetëm një nga shtyllat e fesë islame, ndërsa të vepruarit nën filozofinë dhe moralin e agjërimit do të thotë devotshmëri.

Këtë konstatim e përforëcon edhe ky ajet kur’anor: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat” (1:183) Ky ajet e perligj tërë atë bindje meskine se gjatë agjerimit 30 ditor ne e arrijmë përgjithmonë devotshmërinë, shpëlarjen nga mëkatat e bëra paraprakisht. Nga të këqiat mund të ruhemi vetëm duke vepruar nën frymën e agjërimit, edhe atë në vazhdimësi, prej Ramazanit e në Ramazan.  Duhet ta kemi të qartë se, nuk ngel sekond nga koha jonë që të mos përshkohet nga agjërimi. Madje, përgjatë jetës sonë mesatare,  i njëjti sekond agjërimi na zë dy madje dhe tri herë. Sepse,  agjërimi çdo vit fillon 11-12 ditë më herët se vitin paraardhës, duke bërë që në 33 vjet, ai të bëjë një xhiro të plotë të kalendarit diellor.

Udhërrëfyesi i devotshmërisë sonë

Nëse shprehemi me gjuhën e mekanikës, do të thoshim që Muaji i Ramazanit është koha kur shëndetin tonë trupor e mendor e fusim në makinën shpëlarëse, në laboratorin e rifreskimit të kujtesës, të kalitjes së shpirtit, në përforëcimin e ndjenjave humane. Thellë, në ndërdijen tonë, e kemi kristal të qartë faktin që duhet të jemi shoqëri e shëndoshë, shoqëri humane. Dhe, si pikënisje për ngritjen e një shoqërie të tillë është caktuar pikërisht Muaji i agjërimit, muaji i madhërimit të Allahut xh.sh.  “… për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë” (1:185) Pra, Muaji i shenjtë i Ramazani është udhërrëfyesi i devotshmërisë sonë.

Krijimi i këtij përceptimi të shëndoshë për Muajin e Ramazanit, na e bën më të lehtë edhe agjërimin por edhe të gjitha ibadetet karakteristikë për këtë muaj. Kur njeriu bindet me shpirt dhe në atë bindje është i paluhatshëm se, përgjatë tërë jetës së vetë duhet të jetë i mirë, i sjellshëm, i edukuar, i arsimuar, atëherë,  fare lehtë mund të heq dorë nga përkufizimi kohor prej një jave apo një muaji në të cilën do të vlente angazhimi  për gjendjen solemne të shpirtit. E tërë jeta jonë duhet të jetë Ramazan! Muaji i Ramazanit duhet të jetë shembëlltyrë e jetës sonë.  Të përgatitur për të jetuar nën ndikimin e Muajit të agjërimit, si komunitet apo si etni, do të jemi më të shëndoshë, më bashkëpunues në mes vete, më të dashur, më pranë njëri tjetrit, më fisnik, më human, thjesht si një trup, me imunitet të pathyeshëm që e lufton virusin e përçarjes, ndasive, mohimin e njëri tjetrit, ngritjen e kurtheve, të intrigave, vrapin pas interesave meskine… Ky është amaneti që del nga Muaji i Ramazanit, nga Muaji kur nisi të shpallet Kur’ani Fisnki. E në Kur’an Zoti Mëshirëplotë thotë: “…Frikësojuni Allahut dhe, dijeni, Allahu është me ata që ruhen nga të këqijat.” (1:194)

O Krijuesi ynë, na bëj prej atyre që përjetë ruhen nga të këqiat! Amin!

(Autori është Reisul Ulema i BFI në RM)

Lajme të ngjashme

Back to top button