Shqipëria, një hap para

Adriatiku kam përshtypjen është sinonimi i Shqipërisë evropiane, kjo për faktin se është ura lidhëse me “Evropën” . Dalja në Adriatik, për më tepër nga ana perëndimore e saj duket sikur ka një simbolikë dhe paraqet një tregues të natyrshëm se cili duhet të jetë orientimi shqiptar. Natyrisht se ky është një konstatim gjeografik, por një orientim gjeografik jo rrallë mund të jetë njësh me përcaktimin gjeopolitik.

Përcaktimi evropian i Shqipërisë sa është koncept politik aq është edhe koncept identitar. Kushtetuta e Shqipërisë shumë qartë e përkufizon atë si shtet të së drejtës, që garanton të drejtat dhe liritë e njeriut, frymën e tolerancës dhe bashkëjetesës fetare si dhe bashkëpunimin në mes kombeve si një ndër vlerat më të larta të njerëzimit, karakteristika këto, evropiane.

Në fakt orientimi politik i Shqipërisë si shtet dhe i shqiptarëve në përgjithësi, gjithmonë ka qënë pro perëndimor, sidomos pas periudhës së komunizmit, periudhë që do të krijonte një hendikep të madh dhe do ta linte jashtë familjes evropiane për aq kohë Shqipërinë.

Ruga e integrimit të Shqipërisë në UE si shtet demokratik do të fillonte në vitin 1992 me lidhjen e Marrëveshjes për Tregëti dhe Bashkëpunim, duke kaluar më pas  hapa të rëndësishme, etapa të integrimit, me gjithë vështirësitë që kaloi ky shtet, kujtojmë “çbërjen” e shtetit në vitin 1997 që pikërisht falë mbështetjes dhe ndihmës  së partnerëve evropian  ajo situatë u tejkalua dhe vendosmëria  për të hapur shtigje evropiane bëri që procesi integrues të vazhdonte më tej me negociatat për Stabilizim dhe Asocim të filluara në vitin 2003, për ta nënshkruar me sukses këtë marrëveshje në qershor të 2006, gjë që do të përbënte momentin e parë më të rëndësishëm të Shqipërisë drejt anëtarësimit në UE. Aplikimin për anëtarësim,  Shqipëria do ta bënte në Prill të vitit 2009 dhe që atëherë Komisioni Evropian rekomandoi dhënien e statusit  shtetit shqiptar.

Pas tre refuzimesh dhe një shtyrje vendimi, “Po” –ja e dhënë njëzëri nga 28 ministrat e jashtëm të UE rreth Statusit si vend kandidat  është një hap para për Shqipërinë, dhe me këtë shteti shqiptar i bashkohet ‘klubit” të shteteve fqinje ballkanike, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë, duke lënë pas për momentin Kosovën dhe Bosnjë e Hercegovinën.

Ky moment historik e bën Shqipërinë më të përgjegjshme për rolin që duhet të ndërmarrë,  duke pasur parasysh se nga ky moment procesi bëhet më intensiv, rruga më e vështirë  dhe sfida me Evropën bëhet reale.

Por njëkohësisht lehtësohet qasja dhe bashkëpunimi me institucionet evropiane për  vazhdimin e reformave të brendshme me qëllim të nisë procesin e negociatave për anëtarësim të plotë në UE.

Ndoshta kjo situatë duhet ti shërbejë Shqipërisë për të punuar drejt konsolidimit të saj si shtet demokratik dhe për ti stimuluar mundësitë për zhvillim të mëtejshëm të brendshëm, për të reflektuar pastaj këtë energji edhe në rajon.

Momenti i aplikimit të politikës moderne shqiptare ndoshta është i duhuri me çka do ti ndihmonte edhe zhvillimit të përgjithshëm të rajonit duke sjellë momente të reja edhe në raport me shqiptarët që nuk jetojnë në kufijtë e Shqipërisë. Është momenti ndoshta që shqiptarët të marrin rolin e tyre, duke u bërë faktor  relevant në Ballkan, faktor i stabilitetit dhe bashkëpunimit, faktor i konstruktivitetit dhe fqinjësisë së mirë, duke mos u ndjerë inferior në asnjë moment, por si të barabartë me shtetet fqinje të kontribojnë me vlerat e tyre që do të sillte prosperitet të anasjelltë.

Shqipëria duhet të reflektojë dhe të bëhët kolonë zanore, për tu bërë shtysë edhe për vendet e tjera të rajonit që ta kuptojnë rëndësinë e integrimit në elitën evropiane. Me këtë rast theks të veçantë i vihet asaj që përfshin kornizën e një “Beneluksi Ballkanik” thënë kushtimisht, Malit të Zi megjithëse ky shtet është një hap përpara pasi që veç më i ka filluar negociatat për anëtarësim dhe  Maqedonisë e cila ka mbetur në një “status quo” në këtë drejtim, ndoshta edhe për mungesë të balancës së brendshme, e sygjeruar disa herë në raportet e Komisionit Evropian.

Nga ana tjetër si shtet amë ka përgjegjësinë të shërbejë edhe si avangardë dhe shembull për integrimin sa më të shpejtë të Kosovës si shtet i ri i pavarur në Evropë, duke i hapur rrugën e integrimit dhe konsolidimit si shtet, me qëllim të kalimit të pengesave me të cilat mund të ballafaqohet.

Në një tjetër dimension, e njejta gjë mund të thuhet me rezerva për Serbinë e cila pa dyshim që duhet ta qartësojë orientimin e vet, megjithëse figuron si shtet kandidat për anëtarësim dhe është paralajmëruar se së shpejti do të nis edhe negociatat për anëtarësim në UE, por në asnjë moment pa e pranuar realitetin e ri të krijuar në Ballkan, e theksuar kjo edhe nga shumë faktorë të rëndësishëm të politikës evropiane.

Si përfundim, dhënia e statusit kandidat ishte një hap ndoshta i vogël për Evropën, por i madh dhe i rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët  drejt kthimit  institucional në familjen e vjetër, pjesë e së cilës kanë qënë gjithmonë.

Shqipëria hapi një shteg të ri dhe bëri një hap përpara drejt Evropës, drejt Unionit Evropian dhe elitës evropiane që Adriatiku gjithmonë e ka lidhur me të.

Lajme të ngjashme

Back to top button