Lazarati, jeta në “oazin” ku banorët ndihen viktima të shtetit që s’funksionoi

Reportazhi i Ora News në Lazarat

Vetëm 5 km larg Gjirokatrës makina merr kthesën djathtas, për të hyrë në “tokën e ndaluar”, aty ku të gjithë, dikur ktheninh kokën me kuriozitet duke pyetur veten “Vallë si është nga brenda ky fshat?”.

Instiktivisht ndien ankthin qe të mbërthen zemrën teksa ecën në rrugën pothuajse të zbrazur drejt qendrës së fshatit.

Nuk vonon shumë dhe shfaqen policët e parë, të armatosur, të maskuar, të shumtë në numër, duke kontrolluar çdo makinë që kalon. Ankthi dyfishohet. “Ah, jeni gazetarë? Po, kaloni”. Dhe ne vazhdojmë të ecim disi më të lehtësuar drejt qendrës së fshatit.

Impakti i parë është rrënqethës. Jemi në qendër të fshatit Lazarat. Aty ku pothuajse asnjë gazetar nuk kishte mundur të hynte haptazi përgjatë dy dekadave. Ndërsa sot, pak ditë pas ndërhyrjes së suksesshme të policisë në fshatin “rebel” të sheh syri ngado gazetarë, kamera, policë me uniformë dhe civilë e bashkë me ta si për ironi edhe banorë.

Të qetë, sikur të mos ketë ndodhur asgjë, pinë kafe në lokalet në qendër të fshatit,krah për krah me policinë. A thua se nuk kanë ardhur prej këtej të shtënat e disa ditëve më parë.

Sot gati 10 ditë pas fillimit të operacionit policor uniformat blu në qendër të fshatit janë pakësuar, edhe pse qarkullimi i banorëve të Lazaratit vazhdon ende të jetë i paktë.

Rrugica të boshatisura, shtëpi të heshtura, diku ndonjë i moshuar qe bën pazarin, ndonëse herë pas here sheh edhe furgonat që transportojnë banorët për në Gjirokastër të kalojnë qetësisht, ndërsa policia vazhdon kontrollet në çdo banesë, në çdo ambient, në çdo pëllëmbë tokë të fshatit të njohur botërisht.

Lazarati i pashkelur prej vitesh nga të huajt, sot duket i populluar vetëm prej tyre.

Dikur pika më e gjelbërt në hartën e Shqipërisë dhe jo vetëm, sot duket sikur gjithçka është shkatërruar.

Një fshat ku mungon gjelbërimi, ku syri të sheh vetëm mure të larta betoni, toka djerrë, baltë, kanale të hapura në mes të afaltit për të kaluar në to tubacionet e ujit për të vaditur dikur hashashin. Një infrastrukturë e tërë e ngritur vetëm në funksion të kultivimit të bimës narkotike.

Sasi të mëdha kanabisi të sekuestruara përditë nga policia tregojnë atë çka ka ndodhur prej vitesh në këtë fshat.

Por nuk të duhet shumë të shohësh krahas vilave shumëkatëshe, tepër luksoze, shtëpi gati të rrënuara, njerëz të varfër që në sy u lexohet dëshpërimi, ankthi, tmerri i viteve të kaluara dhe i momenteve të tanishme.

Nëse i pyet, pjesa më e madhe e tyre të japin të njëjtën përgjigjje. “Si është situata sot në Lazarat??? Si ndihemi??? E si duhet të ndihemi???

Tmerr, frikë dhe terror psikologjik. Kaq shumë postoblloqe sa dhe vetë policët e kanë kuptuar se janë bërë të bezdishëm. Ndërsa ata që e përjetojnë më keq janë fëmijët e të moshuarit. Na duket sikur jemi në Rripin e Gazës”, shprehen ata.

Lazaratasit viktima të shtetit që nuk funksionoi

Lazaratasit ndihen sot viktima të shtetit që ka lejuar prej vitesh kultivimin e kanabisit dhe që sot, thonë ata, viktimizon pikërisht hallkën më të ulët të rrjetit, kultivuesin. Ndërsa ndihen të prekur për mënyrën se si shteti vendosi t’i jepte fund gjendjes së krijuar në Lazarat.

“Ka plot platforma për të arritur rezultate me më pak bujë dhe me paqe. Kjo zgjidhej me një marrëveshje të sinqertë komunitet – qeveri lokale –polici, me sensibilizim të banorëve, takime në qendër të fshatit, jo në ambiente të mbyllura. Fushata sensibilizuese ka qenë pothuajse zero”.

Por Lazarati nuk është vetëm fshati i kultivuesve të hashashit, trafikantëve të lëndëve narkotike apo armëve të shumta që po zbulohen çdo ditë e më shumë dhe që për banorët nuk është asgjë e veçantë.

“Kontrolloni në çdo cep të Shqipërisë dhe do të gjeni armë edhe më të sofistikuara”, thonë ata.

Ky është fshati i të rinjve të shkolluar, mjaft prej tyre me master shkencorë brenda e jashtë vendit, tepër realist në mendimet e tyre. Shkon në rreth 400 numri i të diplomuarve të papunë sot në Lazarat. Ky është fshati i paradokseve.

Por edhe këta të rinj, këta djem e vajza qe duan të ndihen të vlerësuar si të gjithë, në të vërtetë ndihen të paragjykuar.

“Mjafton të thuash se nga je dhe policia të bën superkontroll, shprehen ata.

Vallë të gjithë janë fajtorë për këtë marrëzi kolektive që u bë me bekimin e shtetit? Pse ligji antimafia duhet zbatuar vetëm në Lazarat, kur biznese të pista ka gjithë Shqipëria?

Ne nuk jemi ishull i vetmuar që u zbuluam sot. Kjo që ndodhi në Lazarat është një fenomen i veçantë, ndaj edhe mori të tillë epitet. Por është pasqyra e qartë se si ka funksionuar shteti ynë në 24 vjet.

Sepse në konfliktin shtet – Lazarat të dyja palët janë fajtore. Lazarati është si një oaz që shteti nuk e ka marrë seriozisht”.

“Më mirë një shtet i keq, sesa pa shtet fare”

Lazaratasit e kanë mirëpritur praninë e shtetit, madje shumë prej tyre e kanë kërkuar përgjatë këtyre viteve, ndonëse në heshtje, e kanë ndier mungesën e tij.

“Më mirë një shtet i keq, sesa pa shtet fare, thonë ata”.

Ndaj edhe ndërhyrja e policisë ka qenë e mirëpritur, pavarësisht “të ardhurave” të humbura sepse në kohën kur njerëzit do të zgjohen nga endrra e të pasuruarit shpejt, do lumturohen që policia hyri.

Dhe kjo lumturi do të jetë më së shumti për ata banorë të ndershëm të Lazaratit që janë përpjekur gjatë këtyre viteve të jetojnë ndershmërisht, pa kultivuar kanabis, disa prej besimit në fe, të tjerë prej besimit në një jetë të moralshme.

Sa nëna lazaratase janë gdhirë me zemër të ngrirë për bijtë e tyre që dashje pa dashje bëheshin pjesë e të paligjshmes.

Të pakta janë ato familje që kanë mundur të pasurohen me trafikimin e kanabisit, shumë të tjera thjesht kanë mbijetuar.

“Lodhje sfilitëse, investime pa fund dhe fitime qesharake. Kishim vite që dilnim me humbje duke mos mbuluar dot as shpenzimet, shprehet një banore e Lazaratit. Ja shih vetë se ku jetoj, shih edhe shtëpitë e tjera. E nisa këtë punë me shpresë, duke parë ca të tjerë që ndërtonin vilat rradhë – rradhë, por jo s’qe për ne kjo punë”.

Trishtimi i qytetit te gurte
Sot jo vetëm fshati Lazarat duket i heshtur, por edhe qyteti i gurtë i Gjirokastrës ka rënë në heshtje. Ka reshtur qarkullimi i madh i makinave që rendnin lart e poshtë vazhdimisht, edhe pse duket se gradualisht qyteti po e rimerr veten.

Por ata që do ta kenë të vështirë të rimëkëmben janë bizneset në Gjirokastër.

Shqetësimi i tyre për humbjne e një burimi të madhe të ardhurash, një klientele të rregullt e të pakursyer është i dukshëm. Ata nuk ngurrojnë ta pranojnë këtë fakt dhe thonë se pavarësisht nëse duhej apo jo kjo ndërhyrje, pavarësisht nëse janë të bindur se kishte ardhur momenti t’i jepej fund kësaj situate, ata janë biznsemenë dhe së pari shqetësohen për biznesin e tyre. Kanabisi gjeneronte para dhe kjo prurje u ndërpre.

Por 5000 banorët e Lazaratit nuk janë vetëm konsumatorë në Gjirokastër. Shumë prej bizneseve në këtë qytet janë ngritur prej tyre dhe janë jo të paktë ata që i kanë ngritur ato me punë të pastër. Pothuajse të gjitha pikat e betonit në rrethin e Gjirokatrës janë të Lazaratit, pika tregti shumice, karburante, birrat Bavaria, Fisher, apo Fix janë të drejta të bizneseve të Lazaratit prej vitit ’92.

Lazarati është sot një fshat si gjithë të tjerët. Statusi i tij i paprekshmërisë u flak tej. Edhe pse banorët e tij ndihen të dyzuar në ndjenjat e tyre pro dhe kundër shtetit, pro dhe kundër mënyrës së përzgjedhur për t’i dhënë fund kësaj gjendjeje, pro dhe kundër mënyrës se si ndihen të trajtuar nga shteti dhe policia.

Pretendime pa fund për të arrestuar padrejtësisht, klithma për ndihmë për rimëkëmbje nga qeveria, kërkesë për më shumë bashkëpunim me qeverinë lokale, me komunitetin, ndihmë për të punuar tokat të lëna djerrë dhe kthimin e vëmendjes ndaj një komuniteti të harruar dhe të shfrytëzuar politikisht për vite me rradhë.

Lazaratasit sot ndihen të nëpërkëmbur në vite, të keqtrajtuar nga shteti, nga kokat e medha të trafikut, siç Iiquajnë ata, trafikantët dhe përfituesit e vërtetë dhe gjithçka kërkojnë është vetëm siguri për një të ardhme më të mirë, bashkëjetesë pa paragjykime.

Gjithçka kërkojnë është që emri Lazarat të mos shkaktojë më impaktin e përhershëm negativ, por që nga sot lazaratasit të vlerësohen për atë që janë në të vërtetë, jo për atë që të tjerët kanë dashur të jenë.

Reportazhi i Ora News në Lazarat

Lajme të ngjashme

Back to top button