Armani kritikon kryeministrin e Italisë: Nuk duhet të bëjë të “riun”

Giorgio Armani, ka kritikuar kryeministrin e Italisë, Matteo Renzin duke thënë se ky i fundit me veshjet e tij, shfaq shenja provokimi dhe ai duhet të vishet siç i ka hije një kryeministri.

“Renzi është i adhurueshëm, por me këmishët e bardha nuk bën mirë që të bëjë “të riun” në mesin e të gjithë zotërinjve me të zeza, sepse duket provokim. Edhe Obama vesh këmishë pa xhaketë, por i shoqëron me një kravatë, e cila tregon një prekje “sexy” të veshjes”, ka thënë mbreti i modës.

Stilisti i famshëm italian 79-vjeçar, shton se kryeministri italian 39-vjeçar, përveç anës së të veshurit, ka shumë për të mësuar edhe nga ana e të sjellurit.

“Renzi dikur ishte kryebashkiak i Firences, që për të thënë të vërtetën, është një post i rëndësishëm, por tashmë ai është kryeministër i Italisë dhe duken problemet e para lidhur me mënyrën e sjelljes. Ai ka shumë për të mësuar edhe në aspektin e gjestikulacioneve. Renzi ka një mimikë prej një toskani që është argëtuese, por që kërkon  ekuilibër”, thekson Armani./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button