MPJ: Problem për Zendelin, vetëm certifikata e sigurisë

Ministria e Jashtme mohon të ketë ndonjë tendencë tjetër jashtë Rregullores për punën e saj, në rastin e largimit nga puna të Zemri Zendelit. Në një prononcim me shkrim për Alsat, nga dikasteri i Nikolla Popovskit thanë se kanë qenë të detyruar ta largojnë Zendelin për shkak të mungesës së certifikatës së sigurisë, që jepet nga Drejtoria për Informata të Klasifikuara. Megjithatë, MPJ-ja këshillon Zendelin të kërkojë punë në ndonjë institucion tjetër qeveritar ku nuk kërkohet certifikatë sigurie.

“Zendeli nuk ka marrë certifikatën e nevojshme bazike për të kryer detyrat në MPJ. Për këtë shkak ishte e detyrueshme që t’i ndërpritet marrëdhënia e punës në MPJ. Ne si institucion treguam vullnet të mirë. Pa një certifikatë të tillë, që jepet nga Drejtoria për Sigurinë e Informatave të Klasifikuara, ka mundësi të punojë në ndonjë institucion tjetër qeveritar, ku nuk kërkohet një dokument i tillë”, thuhet në prononcimin e MPJ-së.

Certifikata e sigurisë nuk i është dhënë Zendelit për shkak të dyshimeve të Drejtorisë se ai mund të përbëjë rrezik për shtetin.

 “Përjashtim prej pune më 14 prill 2014, për shkak se nuk posedoj certifikatën e sigurisë. Ndërsa arsyet se pse unë nuk kam një dokument të tillë, në dokument shkruan se prej mua ka rrezik ky shtet”, tha dje Zemri Zendeli, ish i punësuar në MPJ.

Zendeli shpjegon se e ka kryer denjësisht për 3 vjet punën e tij, dhe këtë e dëshmon edhe notimi i brendshëm për punën e të punësuarve, që e nxjerr atë me nota solide. Megjithatë, ai dyshon që arsye për mosdhënien e certifikatës dhe largimin e tij nga puna, mund të jetë dëshmia e tij në Tribunalin e Hagës, në favor të civilëve të Lubotenit të vrarë në vitin 2001, dhe kundër të akuzuarve Lube Boshkovski dhe Johan Tarçullovski. Lubotenasi Zendeli ka vendosur që për largimin e tij nga puna, të padisë institucionet në gjykatë, dhe aktualisht po pret procedimin nga Gjykata Themelore Shkupi 2. Nëse padia e tij nuk rezulton me kthim në vendin e punës, Zendeli shprehet se drejtësinë do ta kërkojë edhe në gjykatën evropiane në Strazburg

Lajme të ngjashme

Back to top button