Ali Pajaziti u zgjodh president i Forumit Ballkanik të Sociologjisë

Para disa ditëve (20-22 qershor) në UEJL (Tetovë) dhe në Institutin për Hulumtime Sociologjike dhe Politike-Juridike (Shkup) u mbajt konferenca e tretë me radhë e Forumit Sociologjik Ballkanik, me temën “Ballkani në mijëvjeçarin e tretë: Nga Ballkanizimi drejt EUtopisë”,  ku morën pjesë rreth 50 studiues të sferës së shkencave sociale nga vende të ndryshme të botës si SHBA, Kanadaja, Polonia, Greqia, Romania, Bullgaria,  Egjipti, Kosova, Shqipëria etj.

Gama e subjekteve të trajtuara për këtë “gjeografi problematike” dhe turbulente të Europës, Ballkani, ishte shumë e gjerë: sociologjia dhe (de)ballkanizimi, identitetet, historia dhe etnocentrizmi, Europa e dy shpejtësive ose dy Europat, proceset e integrimit, EUtopia, kulturologjia dhe Homo Balkanicusi, qasja e re shkencore përkundër asaj ideologjike, Ballkani dhe rinia: shpërngulja e trurit, post-tranzicioni, demokracia ballkanike, panetniciteti etj.

Teza kryesore që dominoi diskursin e këtij tubimi ishte si të kapërcehet faza e frymës negative dhe të kalohet në një të re,në atë të mileniumit të tretë që shikuar antropologjikisht duhet të vijë me prurje të reja, me ato të një shoqërie të mirëqenies, duke konstatuar se fjala shkencore ka një barrë të madhe në konstrukltimin e Ballkanit të ardhshëm, me një vetëperceptim më pozitiv, më europian, më kozmopolit, një Ballkan që do të përmendet për vlerat që ia ofron kulturës globale-humane. Ditën e fundit të konferencës u mbajt edhe takimi i menaxhmentit të këtij entiteti akademik, ku mes tjerash u bë edhe zgjedhja e udhëheqësisë së re, për periudhën 2014-2016, me ç’rast për president të Forumit Ballkanik të Sociologjisë u zgjodh prof. Dr. Ali Pajaziti nga Universiteti i Europës Juglindore – detyrë të cilën e mori nga prof. Dr. Svetla Koleva nga Akademia Bullgare e Shkencave – ndërsa për zëvendës-president, Paschalidis Panagiotis, nga Universiteti i Maqedonisë (Selanik, Greqi).

Lajme të ngjashme

Back to top button