TURPI

E fshiu djersën e ballit me shpinëzën e dorës, i fërkoi duart, pastaj i fshiu për mbulesën e kauçit ku sapo u ul pasi erdhi nga jashtë. Puna e parë që bëri pastaj, e ndezi televizorin dhe kërkoi ato kanale që jepnin transmetime nga kampionati botëror i futbollit. E zuri lojën midis Zvicrës dhe Francës. Ishte kah fundi. Kishte edhe ndonjë minutë që të përfundojë loja. Desh doli nga lëkura kur e pa se Franca  udhëhiqte pesë me dy.

Phu nanën! shau. Mbi tavolinë kishte kikirikë. Ai e dinte se kikirikët i bëjnë dëm, se ia ngrenë tensionin dhe ia shtojnë yndyrën në gjak, por pavetëdijshëm i shkonte dora, thuajse instinktivisht dhe vazhdimisht merrte e përtypte. Disa sekonda pa përfunduar loja e fiku televizorin dhe bërtiti: “Grue! Ku ije?” E shoqja doli nga kuzhina me një shami të bardhë lidhur mbi kokë dhe me dorëza najloni. Sigurisht e bënte drekën për nesër, pasi me punë fillonte herët e kthehej diku kah ora gjashtëmbëdhjetë e tridhjetë nga vetëshërbimi ku shërbente për një rrogë minimale.

“A paske ardhë, a”? e pyeti ajo.

“Si e shef ene vetë… M’duket se kum ardhë”, shtoi ai me ironi. “E, n’t’u duktë se kum ardhë, atëherë po t’kallxoj se jam shaum unt. E shoqja i la të gjitha punët dhe e shtroi sofrën. Derisa sa hanin dëgjohej një muzikë e ngadalshme që vinte nga ballkoni i fqinjëve dhe herë pas here dëgjohej edhe bërtima e një jevgu: “Bjejmë vjetërsajna! Bjejmë vjetërsajna”! Ai hëngër, i fshiu buzët, përsëri me dorë, e mori pjatën dhe e la në kuzhinë. Atëherë gruaja e porositi:

“Mos harro t’i lajsh durt”! Ai e shikoi njëherë vëngër, po megjithatë u nis drejt banjës. U kthye në dhomë dhe menjëherë e mori gazetën: i lexoi emrat e ministrave që tashmë ishin ulur në kolltukët e kuq dhe buzëqeshi hidhur, duke shprehur kështu pakënaqësinë me emërimin e tyre. E hodhi gazetën tutje dhe i tha së shoqes:

“Une po dal pak”.

“Aman njeri sa hine, menihere t’dalësh. Ani, ani”… bëri gruaja…

Ai doli. Sa u fut në ashensor për të zbritur nga kati i dymbëdhjetë ku jetonte, i dëgjoi dy veta që e përsëritën atë që e kish dëgjuar dhe për të cilën ai kishte frikë. Drejtori i ndërmarrjes ku punonte disa vjet me radhë ishte caktuar një njeri me të cilin ishin të hidhëruar familjarisht. Ministri i ri shqiptar menjëherë kishte filluar të veprojë kundër shqiptarëve. Nervoza që e mundoi në punë kur e dëgjoi lajmin, tash iu dyfishua. E kishte të qartë: ky njeri që po ardhka drejtor, do të shpenzojë shumë energji për qërime hesapesh: t’i përjashtojë nga puna vetëm ata me të cilët ka mosmarrëveshje familjare dhe, gjithsesi edhe të punësuarit tjerë që e simpatizojnë partinë tjetër shqiptare. Kuptohet vetëm kaq. Sepse te maqedonasit nuk guxon të prekë edhe po qe se ata janë simpatizues të partisë opozitare.

Me tre fëmijë të rritur, me qira, vetëm me një rrogë minimale të gruas nuk do ta ketë lehtë. Nuk mund të thuhet se i kishte humbur të gjitha shpresat, po i qetë nuk ishte. Se çka do të ndërmarrë drejtor dushmani, ai e dinte, por kishte besim te shumë kolegë e shokë me të cilët me vite e ndante të mirën e të keqen. I derdhur në mendime, nga ndonjë shtresë e thellë e shpirtit i bëri presion një këngë dhe ai ia dha sa për vete: I vujtun jam në këtë jetë... Ishte kjo një nga ato këngë që njeriut i vijnë kur ndjehet ngushtë dhe që ta japin përshtypjen se i ndihmojnë t’i përballojë hallet që  vijnë papritmas, si koha e pakohë që vjen me shi, breshër e vërshime duke sjellë me vete gur e dru nga mali. Por kjo përshtypje është vetëm një vegim e asgjë më shumë. Një iluzion. Pastaj i shkoi ndërmend ta kërkojë kolegun V. me të cilin kishte punuar në një zyrë. Fati deshi dhe e gjeti shpejt në kafenenë e dytë të lagjes nga ndërtesa e tij.

“Tung”!

“Tung”!

“A je, si je”?

“Mirë. Po ti”?

“Mirë edhe unë… Po e di… E more vesh kush do të vijë drejtor”.

“Po”.

“Mirë që të pashë”, i tha ky, “desha të konsultohem me ty, më drejt të të pyes: a thua mund të përzërë njerëz nga puna ky farë drejtori”?

“S’e di”… ia ktheu kolegu “cimer”.

“Ta them të drejtën”, i tha ky, “ia kam druajtjen… Bëri e ndërmori diçka, çka bëj unë me dy studentë e një nxënës”!

Kolegu  e shikoi në sy me një zbrazëti dhe heshti. As nuk i ofroi të ulet. Mirëpo ky u ul. Kolegu e rrufiti kafenë, pastaj e piu një gllënjkë raki rrushi. Pastaj të dytë heshtën. Ky e ndjeu peshën e kotësisë që i shfaqet njeriut kur mbetet vetëm, si në këtë rast kur shoku te i cili kishte aq besim jepte shenja se po hiqte dorë nga miqësia e vjetër. Madje nuk i ofroi as një pije. Ky e shikoi në sy, ndërsa shoku a kolegu “cimer”, thuaj si t’i thuash, ia nisi të bluajë bosh:

“Do t’i mobilizojmë të gjitha forcat tona dhe do të kërkojmë një zgjidhje që do të jetë e pranueshme për partinë dhe për liderin tonë”!…

Fjala lider i mjaftoi këtij që ta ketë të qartë se cilat ishin ato forca që do të kërkonin zgjidhje. E shikoi edhe një herë kolegun “cimer” dhe u ngrit. U largua pa u përshëndetur dhe shkoi. Nga larg e shikoi kolegun “cimer” e tashmë ish shok dhe e pa si e ngriti edhe njëherë rakinë e rrushit.

Të nesërmen hallin e vet ua shpaloi edhe shokëve të tjerë. Pas bisedës që pati iu krijua një përshtypje se ata të gjithë ishin vëllezër të lindur nga një nënë dhe në një kohë me kolegun “cimer”, vëllezër shumënjakë!

Edhe disa ditë shkoi në punë. Ndërkaq nuk shkoi gjatë e mbi tavolinë e gjeti vendimin për largim nga puna me nënshkrimin e drejtorit. E grisi atë vendim dhe doli. Te dera e hyrjes së ndërtesës ku ishin zyrat ku kishte punuar, u takua edhe me disa njerëz të tjerë me letra në dorë. Shumica syresh i kishin vendimet për largim nga puna. I dëgjoi reagimet e tyre që revoltën e shprehnin me të shara e me mallkime.

Ai ofshau dhe doli në rrugë. Në atë çast iu kujtua një thënie e mësuesit të tij nga klasa e katërt. “Karakteristika themelore që njeriun e dallon nga kafsha, është turpi”, u kishte thënë mësuesi. Tash i erdh me peshë të plotë kjo thënie dhe pyeti veten: vërtetë ku e kanë turpin këta njerëz?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button