Neziri: Nuk ka konflikt me degën e Çairit, kam pavarësi në zgjedhjen e kuadrit

Formimi i ekipeve punuese të ministrave të rinj të BDI-së, shtrohet si një problem me të cilën duhet të përballen ata, sa për të zgjedhur kuadrin e nevojshëm, po aq edhe me amortizimin e presioneve eventuale nga struktura të ndryshme të partisë.

Përfaqësuesit e BDI-së, nuk e përjashtojnë mundësinë e influencave të ndryshme, por në përgjithësi thonë ata, kuadrot e lartë të BDI-së, kanë të drejtën e tyre të funksionimit të pavarur në të mirë të institucionit që drejtojnë.

Bekim Neziri prej të premten funksionon dhe kryen detyrën e Ministrit të Ekonomisë. Ai deklaron për Portalb se nuk ka kurrfarë problemi në detyrën e re.

Shkrimet e mediave maqedonase se ai është nën presionin e degës së Çairit për zgjedhjen e bashkëpunëtorëve të tij dhe se ai ende nuk është ulur në postin e ministrit për shkak të këtyre presioneve, Neziri i konsideron si spekulime.

Bekim Neziri thotë për Portalb se edhe tash si ministër, por edhe si drejtor i Fondit Pensional, por edhe më herët në funksionet që ka pas, ka pasur autonomi të plotë në zgjedhjen e kuadrit dhe në udhëheqjen e institucionit që ka drejtuar.

Ai thotë për Portalb se emërimi në postin e Ministrit të Ekonomisë ka marrë pëlqimin e strukturave partiake duke filluar nga Dega e Çairit, kryesia qendrore e partisë dhe vetë liderit të BDI-së.

“Varësisht prej problematikave, strukturat partiake informohen në kontinuitet. Nëse bëhet fjalë për probleme të nivelit lokal, informohen strukturat lokale të partisë, nëse bëhet fjalë për probleme në nivel qendrorë, informohen strukturat qendrore të partisë dhe zëvendëskryeministri”, thotë për Portalb, Bekim Neziri.

Ai thotë se funksionojmë në koordinim të plotë me degën e BDI-së në Cair dhe komunikimi është në nivel të duhur.

Lajme të ngjashme

Back to top button