Këshilli i BE-së i jep statusin Shqipërisë (Video)

Çështja kryesore e mbledhjes së Këshillit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg do të jetë dhënia e statusit kandidat për Shqipërinë.

Komisioni Evropian në raportin e kërkuar nga Këshilli i BE-së thekson se, Tiranës i duhet dhënë statusi pasi ka bërë hapa përpara në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

I pranishëm në mbledhjen e ministrave të Jashtëm është edhe Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule.

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së këtë herë – ndryshe nga dhjetori i kaluar ku 5 vende dolën kundër – janë një zëri pro dhënies së statusit.

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Venizelos e ka cilësuar dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë “një çështje të rëndësishme për Ballkanin Perëndimor dhe stabilitetin e vendeve të rajonit tonë”.

Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn thotë se, “në takim do të përpiqemi të arrijmë një konsensus dhe besoj se do ta arrijmë”.

Agjencia prestigjioze e lajmeve “Associated Press” shkruan se BE do t’i japë statusin Shqipërisë pasi ia ka refuzuar një gjë të tillë tri herë që prej vitit 2009.

BE shtyu në dhjetor vendimin, duke kërkuar që Tirana të tregojë rezultatet të qarta në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe të konsolidoi zbatimin e ligjit.

Statusi kandidat nuk do të thotë anëtarësim automatik në BE. Tiranës do t’i duhet të plotësoje kriteret e kërkuara në luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe të sjellë sistemin e drejtësisë dhe administrimit në standardet Europiane.

Si përpjekje për të treguar angazhimin serioz, policia shqiptare ka marrë së fundmi nën kontroll një fshat në jug të Shqipërisë pas katër ditë betejë, që kishte dalë nga kontrolli i ligjit dhe që ishte një burim i prodhimit të marijuanës./ Shekulli

http://www.dailymotion.com/video/x205lkk_statusi_news

http://www.dailymotion.com/video/x205l72_keshilli-luksemburg_news

Lajme të ngjashme

Back to top button