fbpx

Mësimdhënësit presin fjalën e fundit të ministrit, do të dënohen apo jo?

Së shpejti pritet publikimi i rezultateve të testimit ekstern, në bazë të të cilit do të vlerësohet suksesi i nxënësve si dhe puna e mësimdhënësve.

Nëse nota e përfunduar nga mësimdhënësi nuk përputhet me atë të testimit ekstern, mësimdhënësi do të dënohen me gjobë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), Goran Galevski, bën të ditur për Portalb, se ministri është ai i cili vendos për dënimin e mësimdhënësve.

“Pas publikimit të rezultateve nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit kanë afat prej tre ditëve që të ankohen dhe të paraqesin ankesat e tyre në shkollë, e cila më pas do i përcjell në MASH dhe komisioni do të vendos se a do të pranohen ankesat apo jo. Sa i përket dënimeve, se a do të dënohen mësimdhënësit të cilëve nuk u përputhet nota me atë të testimit ekstern, vendos vetë ministri”, tha Galevski.

Kurse ministri i ri i këtij dikasteri, Abdilaqim Ademi nuk i është përgjigjur redaksisë Portalb lidhur me këtë çështje.

Nga ana tjetër mësimdhënësit ankohen se nxënësit nuk mund të vlerësohen vetëm me një testim. Kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë (LASH) të Kumanovës, Etem Xheladini tha se ky testim është I pa pranueshëm dhe se do të kërkojnë që edhe Sindikata të reagojë për këtë çështje.

“Ka shumë vërejtje, nxënësit e gjeneratës kanë marrë notë 2 dhe 3 që është e pa pranueshme për neve dhe normal për prindërit. Arsimtarët nuk mund të vlerësohen nga një testim i cili ishte I stërmbushur me gabime. Në do të reagojmë por fatkeqësisht nuk kemi fuqi sa duhet. Andaj kërkojmë edhe nga Sindikata që të ju del në mbështetje mësimdhënësve që të mos dënohen ata pa pasur asnjë faj. Një nxënës dhe një mësues nuk mund të vlerësohen nga një testim”, tha për Portalb, Xheladini.

Ndërkaq kryetari i LASH-it, Nuhi Dardhishta këtë testim e vlerësoi si jo real.

“Ky lloj i testimit i cili tani më një kohë ka filluar të praktikohet në shkollat fillore dhe të mesme, quhet ekstern por komisioni për këtë testim është i brendshëm, që do të thotë se në një farë mënyre është interno. E quaj këtë testim intern shkaku që komisioni përbëhet nga vetë drejtori, pedagogu, dy arsimtarë ose dy profesorë të asaj shkolle. Nuk kam asgjë kundër këtyre titujve të jenë në komision, por do ishte më e drejtë që secila shkollë të mos kishte komision vetë anëtarët e shkollës. Ashtu testimi do të ishte me real dhe më mirë do vlerësoheshin nxënësit, si dhe puna e mësimdhënësit”, tha Dardhishta.

Si gjithmonë edhe kësaj radhe testimi ekstern kishte gabimet të shumta teknike dhe përkthimi ishte skandaloz, ku në disa raste pyetjet ishin gjysmë shqip dhe gjysmë maqedonisht.

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close