Zendeli largohet nga puna, hakmarrje për Tarçullovskin

Zemri Zendeli nga fshati Luboten i Shkupit denoncon diskriminim të rëndë nga Ministria e Jashtme. Zendeli, i cili nga viti 2011 është sistemuar në Ministrinë e Jashtme nga Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, në prill të këtij viti është përjashtuar nga puna, shkruan Alast M.

Pasi kishte shfrytëzuar të gjitha mjetet juridike për ankimim ndaj largimit nga puna, Zendeli ka vendosur që para mediave dhe para opinionit të shprehë dyshimet e tij për hakmarrje nga ana e autoriteteve maqedonase, për shkak të dëshmisë në Hagë kundër të akuzuarve për krime lufte Johan Tarçullovskit dhe Lube Boshkovskit. Në vitin 2007, gjatë gjykimit të Tarçullovskit dhe Boshkovskit, Zendeli gëzonte statusin e dëshmitarit të mbrojtur. Megjithatë, i lodhur nga ky diskriminim dhe nga dyert e mbyllura të institucioneve, ai ka vendosur që të heq dorë nga statusi i dëshmitarit të mbrojtur dhe ta zbulojë identitetin para opinionit, duke nënshkruar paraprakisht një akt noterial ku deklaron se këtë vendim e ka marrë me vetëdije dhe përgjegjësi të plotë juridike.

“Jam i bindur 100% se largimi im nga puna ka të bëjë direkt me dëshminë time në Hagë. Fjalët e mia, ato që kam përjetuar në fshat, dhe ato që kam deklaruar në Hagë, kanë qenë direkt kundër pushtetit të atëhershëm”, tha Zemri Zendeli, ish i punësuar në MPJ.

Arsyetimi i Ministrisë së Jashtme për largimin nga puna të Zemri Zendelit ka qenë mungesa e Certifikatës së Sigurisë, e nevojshme për vazhdimin e marrëdhënies së punës në këtë dikaster. Drejtoria për Sigurinë e Informatave të Klasifikuara jo vetëm që nuk ka miratuar një certifikatë të tillë, por e shpalli Zendelin të rrezikshëm për shtetin.

“Përjashtim prej pune më 14 prill 2014, për shkak se nuk posedoj certifikatën e sigurisë. Ndërsa arsyet se pse unë nuk kam një dokument të tillë, në dokument shkruan se prej mua ka rrezik ky shtet”, tha Zemri Zendeli, ish i punësuar në MPJ.

Zendeli shpjegon se e ka kryer denjësisht për 3 vjet punën e tij, dhe këtë e dëshmon edhe notimi i brendshëm për punën e të punësuarve, që e nxjerr atë me nota solide. Ai ka vendosur që ta kërkojë drejtësinë në gjykatë, por nuk shprehet shumë optimist për epilogun. Zendeli thotë se nëse padia ndaj Ministrisë nuk rezulton me kthimin e tij në punë, drejtësinë do ta kërkojë edhe në gjykatat evropiane.

Lajme të ngjashme

Back to top button