Akademia turke do të trajnojë gjykatës dhe prokurorë në Maqedoni

Akademia për gjykatës dhe prokurorë publikë e Maqedonisë nga sot gjatë pesë ditëve të ardhshme do të jetë nikoqire e Akademisë gjyqësore turke e përfaqësues nga kryetari i Akademisë Jëllmaz Akçil si dhe anëtarë të Gjykatës Supreme të Turqisë, gjykatës, përfaqësues të lartë të këshillit shtetëror dhe anëtarë të akademisë gjyqësore.

Vizita është rezultat i Memorandumit për bashkëpunim i firmosur midis dy akademive në vitin 2011 në të cilin sipas kryetares së Akademisë për gjykatës dhe prokurorë publikë të Maqedonisë Aneta Arnaudova do të realizohet këmbim i edukatorëve dhe mentorëve, si dhe se do të kryhet trajnim për teknikat mësimore.

“Posaçërisht na interesojnë teknikat mësimore të cilat i shfrytëzon Akademia e Turqisë për trajnimin e tyre fillestar dhe mënyrën e hyrjes së gjykatësve dhe prokurorëve të ardhshëm në profesionin gjyqësor. Na interesojnë edhe arritjet e tyre në planin e teknologjisë kompjuterike, për shkak se Turqia posaçërisht ka përparuar në procesin e kompjuterizimit në gjyqësi”, tha Arnaudova.

Theksoi se me ftesë të Akademisë për gjyqësi të Turqisë, kandidatët tanë nga trajnimi fillestar këtë vit do të jenë mysafirë në Ankara dhe Stamboll. Për kryetarin e Akademisë turke, Maqedonia është në vendin e parë në rajon të cilit ata i japin rëndësi dhe mbështetje të madhe.

“Nuk ka vend ku nuk paraqitet problem para gjykatësit ose prokurorit. Të gjitha problemet në  vend duke filluar nga problemet individuale, si problemet në familje, kalojnë përmes gjyqësisë. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme pavarësia e gjyqësisë dhe sistemimi i tyre i mirë i gatishmërisë informatike”, theksoi Akçil.

Shpjegoi se gjykatat turke me kompjuterë janë të lidhur përmes rrjetit ku të gjithë gjykatësit dhe prokurorët në çdo moment mund të shohin se çka po ndodh me lëndët. Shtoi se në këtë vizitë këtë përvojë do ta ndajnë me Akademinë e Maqedonisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button