Xhemaili dhe Xhaka optimist për kualifikimin

Dy mesfushorët shqiptarë, Granit Xhaka dhe Blerim Xhemaili, në një konferencë për media në Brazil kanë folur para sfidës finale të Zvicrës ndaj Hondurasit.

Graniti theksoi se ai dhe bashkëlojtarët e tij duhet të luajnë për njëri-tjetrin në mënyrë që të sigurojnë fitoren ndaj Hondurasit dhe në këtë mënyrë të kualifikohen tutje.

“Ne duhet të vrapojmë për njëri-tjetrin, të luftojmë për njëri-tjetrin dhe të luajmë si skuadër përsëri. Ne i dimë cilësitë tona, vetëm duhet t’i tregojmë ato”, u shpreh mesfushori prishtinas.

Në anën tjetër, Xhemaili theksoi se Ottmar Hitzfeld duhet të largohet nga drejtimi i Zvicrës në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Ne nuk luajmë si individualistë. Ne edhe ndaj Francës luajtëm si ekip, por ishim të pafat. Synimi ynë është që ta përgatisim një përfundim të mirë për Hitzfeldin”, u shpreh Xhemaili.

Ndryshe, Hitzfeld ka paralajmëruar largimin e tij nga kreu i bankës helvetike pas përfundimit të Botërorit të Brazilit.

Lajme të ngjashme

Back to top button