Lazarat, 70 vjet mllef: ‘Derri’ na çarmatosi e na la pa bukë

Pas gjithçkaje ka një “por”. Kështu u shprehën lazaratasit. Të parët vetëm të njërës anë të medaljes i ka irrituar pa masë. Shprehjet e përdorura rëndom ditët e fundit se “Lazarati ra”, “Bie Lazarati”, “U pushtua Lazarati”, i ka rebeluar më shumë. Për ta, gjithçka mund të përkthehet më butë: U mbyll një kapitull dhe se Lazarati është “bashi i këtij vendi”. Janë shumë nacionalistë për fshatin e tyre dhe të flasësh jo si duhet, janë gati të të nxjerrin sytë.

Banorët kanë një tjetër shpjegim për atë që ndodhi. Ndërsa të kujtojnë orë e çast se jo vetëm nuk janë banditë e kriminelë, por të “humburit” janë të tjerët. Thellë-thellë ata nuk kanë mllef për policët apo forcat speciale. Disa prej tyre, madje deklaruan “se policët e të tjerët bënë detyrën dhe se janë djem të këtij vendi dhe duhet të kthehen shëndoshë e mirë pranë nënave të tyre”. “Kunjin” më të madh e kanë me shtetarët, politikanët dhe fqinjët e tyre.
LAZARATASIT
Në ditën e parë të mbërritjes sonë në Lazarat, takuam tre lazaratas. Nuk kishin ikur. Po pinin kafe në njërin prej dy lokaleve. Ndonëse tejet të nervozuar, na ftuan të uleshim në një tavolinë me ta. “Hë mo, u kënaqët se ra Lazarati? Të jeni të sigurt se ky fshat nuk ka për të rënë kurrë. Dhe t’ju vijë turp të gjithë atyre që flasin kështu, se ky fshat është pjesë e këtij vendi. Dhe ne djemtë e tij jemi shumë punëtorë e nuk do të vdesim. Ne jemi të bukur si ‘Bitëllsat’ dhe na duan të gjithë”, – tha njëri prej tyre. Bëmë të themi atë mendimin ndryshe. “Jo, prit, prit! Nuk është ashtu. Ju nuk e njihni Lazaratin. Ne thjesht na tradhtuan. Lazarati u mor me tradhti”, – vazhdoi ai.
HISTORIA E FSHATIT
Lazaratasi na shpjegoi se kalvari i fshatit të tij nis dekada e dekada më parë. “Të gjitha qeveritë që ishin në pushtet kanë luajtur me Lazaratin. Në ’44-ën, ai dërri (Enveri) na çarmatosi. Gjatë gjithë pushtetit të tij na diskriminoi. Kur greku kërcënoi në kufi, ai dërri na dha armët. Por na la pa bukë. Asnjëherë nuk vuri këmbë këtu. Ne mbillnim grurë dhe mezi mbushnin barkun me bukë misri. Fshatin e la pa ujë. Pyesni pleqtë e fshatit për historinë e asaj çezmës që ka qenë në qendër të fshatit me një gisht ujë. Na diskriminuan aq keq, sa banorët e Dervicianit paguheshin me 250 lekë dita e punës, ndërsa ne që punonim si kafshë paguheshim me 70 lekë. Në Dervician jepnin 90 bursa, tek ne mezi vinin 2 apo 3. Kalvari ynë nuk thuhet dot me fjalë, duhet ta jetosh që të kuptosh se çfarë ka ndodhur këtu. Nuk mund të rri pa ju treguar se si ne shikonim nga larg se si rrëzëtinte Gjirokastra, dritat mbi kala. Kur ne, në gjithë fshatin nuk kishim drita, kur në të gjithë fshatin kishte vetëm 2 televizorë e një lavatriçe. Një herë që njëri nga banorët që ishte emigrant në Amerikë solli një magnetofon, u bë nami. Gjithë qeveria u ngrit më këmbë. Ndaj gëzuam më shumë se gjithkush kur erdhi demokracia.

Menduam se fituam lirinë që gjithnjë na e kishin vjedhur”, – tha lazaratasi. Ndërkohë, ai shpjegoi se morën rrugët e kurbetit dhe se bizneset e para i ngritën me djersë. “Vonë filluam ta mbillnim hashashin. Askush nuk na tha gjë, pasi qeveritarët ishin të interesuar për të mbushur xhepat e tyre. Ne jemi demokratë, por jo se e duam Saliun. Jemi më afër së djathtës, pasi Partia Demokratike e bëri kauzë hashashin. Pastaj, përse kapeni tek degët e gjethet? Përse nuk merreni me rrënjët? E dini ju se bohçet e hashashit janë në Athinë, në Holandë e kudo gjetkë?! Përse ne qenkemi banditë dhe kriminelë, kur në vendet e BE-së luhet sa s’ka droga?! Jeni keqinformuar, të dashur njerëz të medias. Ju shikoni vetëm nga vrimat e gardhit, pa mundur që vështrimi juaj të shikojë atje ku duhet. Më duhet t’ju them se ne nuk jemi të humbur”, – pohoi banori i fshatit Lazarat. Ndërsa, u shpreh se shumë shpejt do vijë shtatori dhe ata që merrnin lekët nga ata, kësaj here nuk kanë çfarë marrin. Ndërhyri lazaratasi tjetër.

Ai u shpreh se “të humbur janë gjirokastritët. Ta dini mirë këtë gjë! Ne u bënim xhiro atyre. Tani do të tkurrin dorën për të blerë. Ata do e ndjejnë të parët krizën. Shkoni në qytet që sot dhe do ju dalin fjalët tona. Gjirokastra do të bëhet si Tepelena, si Delvina, si Skrapari. Po ju them dhe njëherë se nuk jemi ne të humbur. Në SHBA kanë emigruar 200 familje nga Lazarati. Në Angli 30 familje. Në Itali 10 familje. Në Greqi vetëm një familje, dhe kjo për faktin se ne nuk e duam grekun. Ndaj them se nuk jemi të humbur. Askush prej nesh nuk e lë vëllain pa bukë dhe pa ndihmuar”.
GJIROKASTRITET
Operacioni në Lazarat për zhdukjen e hashashit është mirëpritur në mënyrë masive nga banorët e qytetit të Gjirokastrës. “Mirë ua bënë lazaratasve. Kur vinin në qytet, ata na shkelnin me këmbë. Gjithë paratë i shpenzonin për bixhoz e makina luksoze. Fëmijët e tyre, kur vinin në shkollë, kishin me vete nga 20 ose 50 euro. Janë mësuar keq. Ndërsa fëmijëve tanë u jepnim nga një 50 lekësh sa për të blerë një molto. Lazaratasit duhet të mësojnë të punojnë dhe të jetojnë me djersën e ballit. Ne ishim në hall me ta. Plumbat e tyre vinin deri në oborret e banesave tona”, thanë disa banorë të qytetit të Gjirokastrës. Ndërkohë, gjirokastritët i tremben krizës. “Do e ndjejmë krizën shpejt, pasi lazaratasit ishin ‘balozët’ që bënin xhiron e dyqaneve apo lokaleve tona”, thanë ata. /GSH/

Lajme të ngjashme

Back to top button