Lazarat, fëmijët mes hashashit: Dua të bëhem polic. FNSH: Qëlluam vetëm për t’i trembur

Vendimin për t’u nisur në Lazarat e mora pas shumë mëdyshjesh. Jo aq për shkak të frikës, sesa për shkak të një dyshimi se çfarë na priste në Lazarat pas mitit që ishte krijuar për fshatin e paprekshëm. Të premten, në orën 6 të mëngjesit, grupi ynë i xhirimit u nis nga Tirana drejt Lazaratit, një fshat me reliev të thyer që shtrihej rrëzë malit të Sopotit dhe ngrihej përgjatë gjithë shpatit. Prania e postbllokut të policisë që në hyrje të fshatit dhe tymi që dukej nga larg ishin shenjat më të dukshme për të na treguar se ishim futur në Lazarat. Rruga deri në qendër të fshatit ishte e mbushur plot me efektivë policie, të cilët na përshëndesnin me dorë dhe na thoshin të vazhdonim rrugën, pasi rreziku kishte kaluar. Në qendër të fshatit, prania e makinave të blinduara, e efektivëve të RENEA-s, të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe e shumë uniformave blu, tregonin edhe njëherë se Lazarati ishte nën kontrollin e policisë. Në çdo hap që bëmë shkelëm mbi gëzhoja dhe mbi hashash të djegur, derisa arritëm në një banesë në lagjen “Rabaj”, ku policia kishte gjetur 150 kilogramë drogë. Mbërritëm në momentin që uniformat e policisë po e digjnin, një proces që kaloi jo pa shenja tek ne të gjithë, pasi, të pamësuar me këtë proces, filluan të na digjnin sytë, të na merreshin mendtë dhe të na thahej fyti. E vetmja porosi që na dhanë efektivët ishte që të kishim kujdes, pasi në disa prej banesave kishte akoma rrezik…

Mes frikës dhe kurajës

“Ejani pas nesh, sepse nuk ka rrezik. Mos u fusni në shtëpitë në të cilat ne nuk kemi hyrë, pasi përbën rrezik edhe për juve, sepse nuk i dihet se kush fshihet në ato banesa. Rreziku më i madh ka kaluar, por sërish nuk i dihet”, është porosia që na jep një efektiv i RENEA-s. Ai mban në kokë një kapele, ka një shall në qafë dhe armët i ka të varura në trup. Ka edhe një bllok në dorë, pasi i kanë thënë që të mbajë shënim çdo gjë që shikon. Më jep pak ujë, pasi në atë fshat është e pamundur që të mos pish ujë në çdo 2-3 minuta, për shkak të tymit të madh që çlirohet nga djegia e hashashit. “S’ka gjë, se do mësoheni”, – më thotë duke qeshur. Por, në fshatin e Lazaratit janë të shumtë policët si ai, të palodhur dhe gjithmonë të gatshëm për të të ndihmuar. Banorët e fshatit nuk janë shumë dashamirës ndaj nesh dhe për këtë arsye detyrohemi që të qëndrojmë në grup, sipas porosive që na kanë dhënë. Lëvizim me kujdes nëpër fshat dhe me raste ndeshemi me ndonjë banor që na shikon me inat. “Nuk ju duan, por edhe ju mos i ngacmoni shumë, sepse nuk flasin”, – na thotë një tjetër efektiv i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Është njeri babaxhan dhe me shumë kurajë. “Kemi qëndruar në ujë për orë të tëra, derisa arritëm të futeshim në fshat. Disa herë kemi dashur që të qëllojmë objektivat, pasi i identifikuam, por urdhrat ishin që të qëllonim vetëm për t’i trembur dhe jo për t’i neutralizuar”, – tregon efektivi i FNSH-së.

Me idhuj të rinj

Ngado që hidhje sytë shikoje vetëm efektivë të RENEA-s, FNSH-së, policë të Gjirokastrës, Fierit, të cilët për ditë me radhë ishin banorët e rinj të Lazaratit, sepse banorët e vjetër kishin ikur. Në fshat kishin ngelur vetëm pleqtë dhe fëmijët. Këta të fundit dukeshin të qeshur dhe herë pas here na jepnin muhabet. Njëri prej tyre, Adi, 10 vjeç, ka një ëndërr të re. Ai do të bëhet polic. “Jam në klasë të katërt. Kur të rritem do të bëhem polic”, – thotë Adi. Dhe janë të shumtë fëmijët që mendojnë si ai, që tashmë kanë idhuj policët që qarkullojnë në fshatin e tyre që prej të hënës së shkuar, kur mbi 800 efektivë policie nisën aksionin për t’u futur në Lazarat.

Rreziku

Gjatë kontrollit nëpër banesa, policia kishte gjetur edhe një arsenal armësh. Na u desh që për 7-8 minuta të përshkonim një truall 3 dynymë të minuar. “Kujdes, nën tokë ka mina dhe ju mund t’i shkelni. Kujdes kur ecni”, na thanë forcat e FNSH-së, të cilët kishin gjetur snajpera, predha anti-tanku, kallëpe tritoli, granata dore, mitralozë, kallashë dhe shumë fishekë. Ecëm me kujdes, pasi mund të shpërthente ndonjë granatë dhe atëherë do mbaronte çdo gjë, fotografuam ato që pamë dhe u larguam. U larguam edhe nga fshati i Lazaratit, nga i cili vazhdonte të dilte akoma tym, i cili ndoshta do të vazhdojë për ditë me radhë. Por, ajo që dihet është se do jetë gjithmonë dikush që do tregojë historinë e fshatit të Lazaratit, të një fshati që dikur ishte i paprekshëm dhe që sot është nën kontrollin e plotë të policisë, të cilët do të quhen pa dyshim heronjtë e këtij aksioni./ Gazeta Shqiptare

Lajme të ngjashme

Back to top button