Vendimarrja popullore, kunder armëve kimike në Shqipëri, akt unik!

Nga – Arsejda Gjyli

 

Ajo çfar i mungon popullit shqiptar sot, dhe çfar duhet bërë në të ardhmen është, ndërmarrja e nismave! Ekzistojnë akoma njerëz të cilët nuk e duan më një realitet të pazakontë dhe një jetë të dobët, në të cilën ato janë thjesht të shtypurit dhe të idealizuarit nëpër vargjet e historisë, si ato të cilët mund të marrin vendime. Populli shqiptar ka një potencial të paimagjinuaeshëm, një shpirt të pasur dhe revolucionar…

 

Pas lajmit se në Shqipëri do të vinin armet kimike nga Siria për t’u demontuar, i tërë populli u turbullua, ndjeu një rrezik të menjëhërshëm për jetën dhe vazhdimsinë. Ndoshta do  të dukej e pavend pyetja ime por, mendoj se ështe pyetja kyçe:” Pse shpërtheu populli masivisht në këtë protestë? “ Ndryshe nga nismat e tjera të tipit ambjentalist, në mbrojtjë të të drejtave të grave, të ‘target grupeve’ të ndryshme, të drejtave të punëtorëve etj, kjo nismë u bë mbarëpopullore. Pse? Ne Shqipëri, nuk është zhvilluar akoma një kulturë aq e madhe e të protesuarit, sa njerëzit të solidarizohen masivisht për të mbrojtur këto të drejta. Fundja të protestosh, qoftë edhe në mbrojtje të kafshës tënde shtëpiake, duhet kulturë, dije dhe shtet ligjor (i së drejtës) tepër i fuqishëm. Në vendin tonë diçka e tillë nuk ekziston, ndaj edhe populli, së pari nga mungesa e besimit dhe, së dyti nga mospasja e një kulutre të mirëfilltë ‘reaguese’ por deri diku pasive, bie në fjetje! Në këtë rast kauza ishte jetësore, të paktën këtë impakt pati tek masa e popullsisë. Ndonjëherë është më e rëndësishme se çfar imapakti do ketë ngjarja në publik sesa mirëfilli qëllimi i projektligjit apo vendimit…

 

“Akulli u thye”!

 

Pas daljes së lajmit publikisht se në territorin shqiptar do të dërgoheshin armët kimike të Sirisë, ndoshta për të na e lënë ‘të keqen në derë’, populli shqiptar pati një reagim imediat. Forma e këtij reagimi ishte të protestuarit, ndoshta edhe mënyra e vetme për t’u dëgjuar zëri i tyre. Nga kjo situate ‘përfituan’ edhe persona të shoqërisë civile aktive të cilët nxisin dhe proklamojnë shpirtin revolucionar tek të rinjtë, të cilët përpiqen të edukojnë tek të rinjtë sensin e protagonizmit dhe faktin e të menduarit të vetvetes si promotore të ndryshimit. Protestat janë zhvilluar ne tre ditë. Në ditët e para pati një pjesëmarrje relativisht të madhe me rreth dyqind- treqind pjesëmarrës, por ‘bum-i’ shënoi në ditën e trete. Pavarësisht kësaj, i rëndësishëme ishte fakti që njerëzit, përgjithësisht të rinjtë po linin ‘ tempullin e tyre’, kafenetë, për t’u solidarizuar me nismën.

 

Kauza realisht po bëhej e madhe, jo për faktin se të gjithë ishin të mirë informuar por për faktin se nisma dukej shpresëdhënëse. Flitej kudo për çështjen. Familje të shqetësuara pëshpërinin:” Do vdesim të gjith, edhe këtë kishim mangut!” Burrat qeveridashës dhe mbrojtës të kryeministrit, Z. Edi Rama po shfaqnin me zë të lartë zhgënjimin ndaj qeverise: ”Nëse Saliu deshi të na bëjë germadhë dhe kosh plehrash, ky tjetri i cili na premtojë ‘Rilindje’, dëshiron të na vrasë të tërëve”. Keto mendësi nuk ekzistonin vetëm tek moshat e mesme dhe të vjetra, të cilët janë një elektorat deri diku i qëndrueshëm, por edhe tek moshat e reja të cilat ishin elektorat deri diku vizionar. Impakti nga një shoqe imja, por jo vetëm, ishte ky: ‘ Nëse diçka nuk shkon ashtu si duhet me proçesin e demontimit të këtyre armëve, atëhere e gjith Shqipëria do të shndërrohet në një zonë të vdekur, dhe më pas brezat e ardhshëm do të jenë qenie alienore me disa koka dhe me disa sy!” Por jo vetëm, tërë të rinjtë të cilët kishin votuar pak muaj më parë në nxitje të ndryshimit, tani po zhgënjeheshin plotësisht nga qeveria: ‘Rama’.

 

Do të citoj tre arsye përveç zhgenjimit që mori elektorati, për thyerjen e akullit të fjetjes së tyre:  Së pari në një pyetësor të zhvilluar në terren, mes të tjerash theksohet më tepër fakti që kauza pati një imapkt thelbësisht negativ. Nëse qeveria kishte proklamuar një vizion thelbësisht pro jetës, ndryshimit dhe pozitivitetit, kjo ishte një tonditje e madhe në popull, një imazh i errët, ku të gjith filluan të besonin në shprehjen: “ Ne do të vdesim!” Në këto terma, cilido person do të ngrihej të protestonte, pro jetës.  Së dyti, theksojmë deri diku edhe elementin propagandistik nga ana e medias sociale dhe rrjeteve sociale, ajo ka luajtur një rol shum të rëndësishëm në nxitjen e një numri shum të madh individësh, të grupmoshave të ndryshme, duke filluar nga trembëdhjetë vjec e duke përfunduar tek të moshuarit. Së treti ishte elementi i solidaritetit, të gjithë pjesëmarrësit së pari ndërmorën një nismë e cila iu fali fillimisht sadisfaksionin që kurr më parë se kishin ndjerë :” Ne jemi kaq shumë, jemi të bashkuar! Ne mundemi!” Kjo bëri që nisma të rritej, der në përmasat që mori ditën e fundit të saj…

 

Ne permasat e vetvendosjes!

 

Gjithçka dukej aq shpresëdhënëse. Për aktivistët revolucionarë ishte ndër ditët më  triumfuese për qëllimin e tyre. Duket çudi që e them, por në Shqipëri rradhë herë ndodhin të tilla nisma, edhe në rastet kur kanë ndodhur, ose kanë pasur ngjyrim partiak, ose kanë përfunduar  me derdhje të gjakut të pafajshëm të protestuesve, përjashtimisht flasim për rastin e nismës studentore për përmbysjen e regjimit komunist. Ndaj theksoj faktin se kjo nismë për herë të parë i tregojë botës se Shqipëria ka popull, ka demokraci, edhe pse në përmasa të brishta, se populli mund të vë në vend drejtësinë nëse dëshiron. Pjesëmarrja masive ishte thelbësore.  Duke qënë pjesë e brendshme e kësaj nisme do të citoj disa elemente të ketij evenimenti, të cilët i japin formën e vendimarrjes popullore nëpërmjet protestimit.

 

Së pari, kauza ishte gjithëpërfshirëse, kishte nga të gjith grupmoshat, të vegjël nga nënëtëvjëarja, gjimnazistë, studentë, edhe pjesmarrës të moshës së tretë e të moshuar. Kjo tregon shkallën e rrezikshmërisë se aktit, të perceptuar nga e tërë popullsia, e cila ka rezultuar shum e lartë. Së dyti, pjesëmarrja masive e personave publik dhe të grupeve të ndryshme me qëllime të caktuara, fetare, organizta OJQ etj. Persona publik aktiv theksojmë, Zoti: Sazan Guri, aktivist i mirënjohur dhe ambjentalist, gazetarë politik etj. Pjesëtarë të: ‘Organizatës politike’, dhe aktivistë të shquar ne nisma për të drejtat e njeriut, ndër to citoj Zotin: Arlind Qori, pjesë e rëndësishme e shoqërisë civile aktive. Politikanë të shumtë të cilët vinin aty pa qëllime partiake por në mbrojtje të kauzës. Gjithashtu pëfqaqësues nga grupe fetare: muslimane, katolike dhe ortodokse. Plus edhe pjesëmarrjen masive të personave të profesioneve të ndryshme. Kjo tregon karakterin unifikues dhe larmishmërinë e organizimit. Së treti theksoj moslejimin nga masa e pjesëmarrësve të ndikimeve politike. Citoj këtu momentin strategjik te protestës, në çastin e afrimit të kryetarit të bashkisë së Tiranës, Zotit: Lulzim Basha, e tërë turma filloi të kerkonte largimin e tij nën thirrjet:”Jo politikë”, dhe thirrje të tjera për ta laguar atë nga protesta. Ky ishte një akt sa simbolik aq edhe domethënës. Së katërti, lëvizja ishte thelbësisht e organizuar, tërë pjesmarresit kishin pankarta ku theksohej qëllimi i lëvizjes, theksohej në mënyrë të dukshme ‘slogani’ i lëvizjes, kishim thirrje të tipit:”Jo armëve kimike”, “Pro jetës, jo vdekjes” etj, të cilat tregojnë qëllimin e organizimit. Thirrje me megafon, dhe pjesëmarrje e medias. Gjithashtu protesta zhvillohej përballe kryeministrisë, çka tregon se ajo i drejtohej qeverisë. Së pesti vlen për t’u përmendur roli i rrjeteve sociale, të cilët bënë të mundur një rritje galopante të pjesëmarrësve nga dita e parë në të tretën.

 

Kryeministri nuk e kishte pritur këtë reagim. Dukej që në faktin e largesës së tij drejt Malit të Zi pa u shqetësuar shum. Vendimi dukej se ishte marrë, ashtu si bëhet rëndom në Shqipëri, për faktin se populli thuajse nuk llogaritet fare. Në këtë rast me gjithë përpjekjet e dështuara të Partisë Demokratike për ta politizuar lëvizjen, me përplasjet e fuqishme të grupeve të ndryshme për të fituar sado pak vëmëndje, duke marrë pjesë në këtë nismë, nisma përfundimisht theu tabutë jo vetëm me pjesmarrje, por edhe me ndikimin që pati.

 

Vendimi ishte: JO, armëve kimike! Vendimi ishte popullor, jo politik! Ndoshta ky nuk ishte i vetmi përfitim i protestës. Përfitimi ishte, arritja e nje forme të tillë vendimarrjeje popullore, besimi në vetvete i popullit dhe sidomos i rinisë, verifikim imediat dhe praktik i thenies, ”Bashkimi bën fuqinë!”, mësim për qeverinë, se populli është faktor i cili nuk mund të injorohet etj… Kjo lëvizje tregon se zëri ynë mund të dëgjohet mjafton të ngrihet dhe të jehojë! Rëndësi ka akti, i cili ka një rëndësi historike. Mund të evidentojë shumë elementë negativ në këtë rast por realisht, me kaq pak raste të tilla në vendin tonë, vlen të idealizohet ky akt, jo ne menyrë false, por sepse e meriton të evidentohet si akt unik dhe i nevojshem të përsëritet, jo vetëm në raste të perceptuara me rëndësi jetësore, por në tërë rastet që cënojnë pjesë dhe elementë të jetës sonë, qofshin këto të vogla apo të mëdha!

Lajme të ngjashme

Back to top button