ANALIZË: Në vend “Bejbi-bum”-it, rënie e natalitetit!

Reklama qeveritare për përkrahjen e vlerave familjare, stimulime shtetërore për muzikë dhe tekste që e promovojnë familjen dhe patriotizmin, para buxhetore për familjet me shumë fëmijë, ligj për abortin. Të gjitha këto veprime të qeverisë, si pjesë e politikave aktuale duheshte të çojnë drejt ndaljes së trendit të rënies së natalitetit. Nga ana tjetër, statistika edhe më tej shënon rritje të “murtajës së bardhë”. Në vitin 2013 në krahasim me vitin 2012 numri i foshnjeve të posalindura është zvogëluar për 430 ose pothuajse 2 për qind. Pse marketingu nuk ndihmoi për rritjen e natalitetit? Dallimet gjithnjë e më të mëdha ndërmjet të varfërve dhe të pasurve, gjegjësisht varfërimi gjithnjë e më i madh dhe pasiguria ekonomike, sipas sociologëve janë shkaqet kryesore për rezultatet e matjeve të fundit statistikore. Të dhënat tregojnë se mu familjet me shumë fëmijë jetojnë në varfëri më të thellë.

Varfëri prej 57% në familjet me shumë fëmijë…

Madje 11,3 për qind e foshnjeve të posalindura kanë lindur në bashklsi jashtëmartesore në gjendje kur ka zvogëlim të numrit të fëmijëve të lindur. Statistika për vitin e kaluar 2013 i publikoi të dhënat përfundimtare për natalitetin. Numrat tregojnë se në nivel të vendit, vitin e kaluar kanë lindur 23.334 fëmijë, ose 430 fëmijë më pak se sa në vitin 2012. Zvogëlimi është 1,8 për qind. Përderisa nga njëra anë kemi promovim të politikave që i përkrahin vlerat familjare dhe që duhet ta nxisin natalitetin, nga ana tjetër ballafaqohemi me efekt të kundërt, numri i të lindurve zvogëlohet. Sipas sociologëve, fushata dhe marketingu nuk mund ta ndryshojnë dhe ta përmirësojnë fotografinë për realitetin që e jeton çdo familje.
“Shkaku për numrat, gjegjësisht, trendet e këtilla duhet të kërkohet në statusin social-ekonomik të familjes. Familja është kategori sociale dhe në të ka ndikim edhe pozita ekonomike edhe ajo sociale. Gjithsesi këtu ndikim ka edhe gjendja e përgjithshme e cila reflektohet te planifikimi, gjegjësisht zvogëlimi i natalitetit. Kur flasim për statusin social-ekonomike, kjo do të thotë se flasim për faktorë që në mënyrë të drejtpërdrejtë janë të lidhura me kualitetin e jetës së një familjeje, gjendjen dhe statusin e tij ekonomik.” – thotë për Portalb, profesori universitar, sociologu Emil Sulejmani.

Sipas matjeve të reja statistikore, vitin e kaluar nga numri i përgjithshëm i fëmijëve të lindur, 52,3% kanë qenë djem ndërsa pjesa tjetër vajza. Sipas moshë, 35,5% e fëmijëve të lindur nga nëna të moshës prej 25 deri në 29 vjet, ndërsa 26% nga nëna të moshës prej 30 deri në 34 vjet. Në nëntë vitet e fundit, vetëm në vitin 2011 dhe vitin e kaluar, në vitin 2013, është regjistruar rënie e natalitetit në krahasim me vitin e kaluar. Të dhënat tregojnë se më së shumti fëmijë të posalindur ka në vitin e largët 1994, kur kanë lindur 31.421 fëmijë. Në vitet e ardhshme është regjistruar zvogëlim i dukshëm i natalitetit. Në të njëjtën kohë, sociologët theksojnë këto gjendje janë të pritura në një shoqëri me përqindje të lartë të papunësisë, por edhe si rezultat i dallimeve gjithnjë e më të mëdha klasore.

“Ne patjetër duhet ta dijmë se në çfarë niveli është familja. Klasa e mesme është duke u zhdukur, klasa e lartë zvogëlohet ndërsa dallimet ndërmjet tyre bëhen gjithnjë e më të mëdha. Ne ballafaqohemi me një gjendje të skajshmërive kur familja i takon shtresës së ulët ose të lartë. Klasa e mesme po zhduket” – thotë për Portalb, profesori Sulejmani.

Hulumtimet e fundit të institucioneve kompetente tregojnë se vetëm 4,8 për qind e qytetarëve mund t’i plotësojnë në tërësi nevojat e tyre mujore, ndërsa madje 71 për qind kryesisht ose tërësisht nuk arrijnë t’i plotësojnë ato. Hulumtimi i fundit për varfërinë tregon se më vështirë jetojnë pikërisht familjet me shumë fëmijë, gjegjësisht ato që kanë tre ose më shumë fëmijë. Përqindja e varfërisë te këto familje është madje 57%. Përqindje më të larta të varfërisë në përgjithësi janë matur te familjet me fëmijë. Ja se te cilat familje dhe sa është përqindja e varfërisë:

– me tre ose më shumë fëmijë 57,0%
– me dy fëmijë 23,8%
– me një fëmijë 28,9%

Duke u munduar që ta stimulojë natalitetin, vlerat familjare dhe tradicionale, qeveria ndërmori disa veprime, një pjesë e të cilave u vlerësuan si kontraverze, por edhe u dënuan nga sektori joqeveritar. Në fillim u lancua projekti “Bejbi-bum” që duheshte ta ndalojë “murtajën e bardhë”. Nga fillimi i vitit 2009 qeveria filloi të japë prej pesë deri në 11.500 denarë për familjet që të do lindin fëmijë të dytë, të tretë ose të katërt. Ky projekt i cili konsiderohej se është pjesë e startegjisë qeveritare për ndërprerjen e trendit negativ të shtimit natyror, u kontestua nga Gjykata Kushtetuese. Pasuan edhe fushata reklamuese për përkrahjen e familjes, ndërsa para do kohësh u ndanë edhe subvencione shtetërore për këngë dhe muzikë që i promovojnë vlerat tradicionale dhe familjet me shumë fëmijë.

Vetë ideja për subvencionimin e këngëve që propagandojnë familje me shumë fëmijë është budallallëk dhe nuk është e qartë se çka dëshiron të arrijë, deklaroi muzikanti Zllatko origjanski në konferencën e paradokohshme “Engage” në organizim të Forumit arsimor rinor.

“Kjo nuk ishte as në kohën e komunizmit, atëherë kishte budallallëqe të ndryshme, por jo deri në këtë masë. Unë e shqyrtova formularin që duhet të plotësohet dhe ai është shumë debil. Kush është ai që do ta vlerësojë këngën time? Unë mund të bëj këngë për fëmijën e tretë, e madje edhe për fëmijën e gjashtë, por cila është ideja? Projekti për subvencionimin e muzikës vendore do të dështojë, ndërsa muzika maqedonase nuk do të shkojë as një hap të vetëm përpara”, deklaroi për Portalb, muzikanti Zllatko Origjanski.

Jehonë më të madhe në opinion shkaktoi Ligj për abort, i cili poashtu u promovua si pjesë e strategjisë për zvogëlimin e natalitetit. Rreth një vit pas miratimit të tij në Kuvend, por edhe nga protestat kundër kësaj zgjidhjeje ligjore, organizatat joqeveritare nuk heqin dorë nga qëndrimi se ai duhet të ndryshojë.

“Edhe pse vërejtjet për anët negative u thanë në mënyrë të qartë dhe të zëshme, ligji restriktiv megjithatë u miratua. Prandaj, paraqitet nevoja që ky ligj të ndryshohet dhe në të të inkorporohen të gjitha parimet për abort ligjor dhe të sigurt, e para së gjithash ato parime që kanë të bëjnë me avancimin e të drejtave të njeriut“- deklaroi para do kohësh OJQ-ja HERA.

Sipas numrit të fëmijëve të lindur, matjet statistikore tregojnë se në vend të parë është Shkupi me 6.764 fëmijë, pa Kumanova me 1.292, Tetova me 1.203 fëmijë, e pastaj vijnë komunat e Çairit me 1.079 dhe Gazi Baba me 897. Nga numri i përgjithshëm i fëmijëve të lindur, madje 11,3% kanë lindur në lidhje jashtëmartesore.

“Për planifikim të familjes ka nevojë për politika shtetërore me një analizë paraprake gjithëpërfshirëse që do t’i targetojë të gjithë qytetarët pa marrë parasysh përkatësinë e tyre fetare ose nacionale. Faktorë të shumtë ndikojnë mbi atë se a mund të ketë një familje më shumë fëmijë. Këtu, përveç kushteve ekonomike-sociale, ndikojnë edhe faktorët kulturorë, arsimorë, e madje edhe ato shëndetësorë” – thotë profesori Sulejmani.

Sociologët konsiderojnë se shtimi natyror i popullatës mund të stimulohet vetëm nëpërmjet masave për përmirësimin e pozitës ekonomike të qytetarëve, gjegjësisht të të rinjve, te të cilët është matur edhe përqindja më e lartë e papunësisë, e cila është shkaku kryesor i varfërisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button