SHBA, masa për zhdukjen e bletëve

Shtëpia e Bardhë në SHBA ka njoftuar sot se, ka ngritur një grup pune të posaçëm për të trajtuar fenomenin e zhdukjes  së bletëve.

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA) dhe Departamenti i Bujqësisë do të udhëheqin përpjekjet të  cilat përfshijnë një shumë prej 8 milion dollarësh për kërkimin e  habitateve të reja për bletët.

Numri i bletëve, pati një rënie prej 23% dimrin e kaluar, një prirje kjo që shkaktohet nga  humbja e diversitetit gjenetik, ekspozimit ndaj pesticideve të caktuara, ndryshimeve klimaterike etj. Shkencëtarët paralajmërojnë se shkatërrimi i kolonive të bletëve, mund të krijojë një krizë tek fermerët dhe rrjedhimisht tek ushqimi.

“Një e katërta e ushqimit që hanë amerikanët, duke përfshirë mollët, karotat dhe fruta të tjera, mbështeten në pllenim. Bletët arrijnë të sigurojnë më shumë se 15 milion dollarë në vlerë, të kulturave bujqësore amerikane”, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Rënia e numrit të bletëve është shkaktuar edhe nga humbja  e foragjereve natyrore dhe dietat e papërshtatshme, infeksionet apo dhe sëmundjet. Prandaj SHBA-ja ka ngritur një grup pune të posaçëm për të zgjidhur këtë problem.

Kjo është me rëndësi, pasi çështja që  lidhet me shembjen e popullatave të bletëve, është një shqetësim i madh për të gjithë botën. Edhe Bashkimi Evropian ka marrë masa të nevojshme në këtë drejtim,  për të kufizuar përdorimin e pesticideve, që lidhen me vdekjen e bletëve sipas studimeve shkencore./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button