Këshill nga të urtët apo këllëf për bashibozukët

Trajtimi i temave të rralla në opinion sjell me vete rrezikun e keqkuptimit për insistimin. Ashtu tema rrallë e trajtuar nuk domethënë se është e parëndësishme si dhe insistimi vetëm i të rrallë kujt në trajtimin e saj nuk duhet të keqkuptohet, por dyja këto të shihen në atë që trajtojnë. Pasi sidomos trajtimi i tyre mbetet i pashmangshëm atëherë kur kjo ka të bëjë me esencën e legjitimitetit, demokracisë dhe shumë gjërave tjera që i kujtojmë veç më si të absolvuara. Por, vetëm deri atëherë kur paraqiten sende dhe gjëra që na hamendën mos ndoshta edhe në këto baza ka keqkuptim të thellë. Kështu disi është rasti me iniciativën që u paralajmërua nga Bashkimi Demokratik për Integrim se në suaza partiake do të formon një këshill të emëruar si “Këshilli i të Urtëve”.

Me aq sa u shkrua zyrtarisht brenda dokumenteve partiake nuk ka asnjëfarë problemi me realizimin e një kësi ideje, por problem shumë i madh dhe qenësor paraqet përfolja e disa ingerencave që u paralajmëruan. Sipas atyre i bie që brenda BDI-së do formohet një “sekt” i cili do zhbën partinë politike pasi ndryshe nuk mund të kuptohen ingerencat e mëdha të palegjitimuara dhe mandatet e përjetshme. Nëse nuk është shaka apo keqinterpretim, pasi ende duket e pabesueshme që dikush brenda partisë të voton për një organ kësisoj që do ketë ingerenca të ndryshon apo të mos pranon vendimet partiake që sillen me zgjedhje ose procedura tjera që janë legjitime dhe demokratike, atëherë vetëm nëpërmjet të kuptuarit e sektit dhe mekanizmave të funksionimit të tij do mund të shpjegohej ky “këshill i të urtëve”.

Nëse ky organ i BDI-së zyrtarizohet me kësi ingerenca ai organizim politik  pastaj më nuk do mund të trajtohet sipas parametrave politike, por ndoshta vetëm si trajtohen sektet, që legjitimitetin e marrin diku tjetër. Kështu duke sqaruar se BDI në fakt është ndonjë sekt që për një kohë ka vepruar nën emblemën e një partie politike, ose ka qenë parti politike që ja tani mendon të shndërrohet në një sekt. Pasi, mandatet e përjetshme dhe ingerencat absolute mund të hasen vetëm nëpër sekte e assesi në organizime tjera politike. Pra, nuk qëndron problemi në emrin, përbërjen ende misterioze ose të tjera nga kjo iniciativë por në ingerencat dhe mandatet e përjetshme.

Në opinion pati disa sqarime se kjo mund të jetë në fakt vetëm shpikje e një organi dhe poste partiake sa për të kënaqur disa anëtarë të rëndësishëm të partisë që kanë mbetur të habitur dhe të pakënaqur deri më tani me politikën e BDI-së dhe sidomos me negociatat për mandatin aktual në pushtet me DPMNE-në. Njashtu edhe tjera si ajo se në fakt kjo është një ide e vjedhur nga aktivistë që të njëjtën e kanë propozuar më herët, e deri tek ajo se është një imitim i “të urtëve” nga një film serik turk. Por, shkaku i kësisoj ingerencave mbetet një rast unik në historinë e politikbërjes në botë dhe mund të evidentohet vetëm nën kaptinën e bashibozukllëkut politik. Aty ku nuk ka shumë lidhje se si bëhet qeverisja e që vazhdon vetëm deri sa të mundet.

Për të thjeshtuar absolutizmin e këtyre ingerencave do duhej të sjellim shembuj deri edhe karikaturiale ku p.sh. delegatët e partisë do votonin për dikë por ai i njëjti mandej nuk do pranohej nga ky “këshilli i të urtëve”. Ose edhe për gjëra esenciale në politikë kur p.sh. Maqedonia më në fund do kryente krejt punët dhe do anëtarësohej në NATO ose BE, por ja që këto nuk do përputheshin me atë që do i kishte kaluar ndërmend ndonjërit apo krejt përbërjes të këtij “këshilli i të urtëve”?!

Kjo gjithsesi mbetet bazhibozukllëk në demokraci ashtu siç ajo dihet, nuk mund të kamuflohet me asnjë këllëf nga emërtimi dhe votimi apo aprovimi partiak i një kësi gjëje me këto ingerenca do mund të shembullohej vetëm si në rastet kur në vende të ndryshme ka patë grushtshtete ushtarake ose të tjera dhe partitë dhe organizime tjera demokratike vetë kanë votuar shpërbërjen dhe anulimin e vet tyre?!

Reagimi dhe kontestimi i parë do duhet të vjen brenda partisë politike pasi me këtë përmbysen krejt procedurat dhe legjitimiteti, por krejt kontestimet që do vijnë më pas edhe nga opinioni i përgjithshëm deri në Gjykatë Kushtetuese dhe “Komisioni shtetëror për marrëdhënie me bashkësitë fetare dhe grupet religjioze” është legjitim, pasi prek në gjëra esenciale të përfaqësimit dhe organizimit politik.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button