Deputeti më i pasur i BDI-së është Ramiz Merko, ja lista e pasurisë së deputetëve

Pas bërjes publike të pasurisë së ministrave të Maqedonisë, publikohet edhe pasuria e deputetëve.
Deputeti më i pasur në listën e Ali Ahmetit është  Ramiz Merko. Prona e përgjithshme e Merkos vlen 623 mijë euro. Në të, bëjnë pjesë pasuri të patundshme, makinat dhe paratë në bankë. Mirëpo, Merko fiton gjithashtu edhe nga qiraja, çdo vit, edhe 10 mijë euro të tjera, kurse dikush i ka borxh 43 mijë euro, shkruan Alsat-M.

I dyti me radhë është deputeti Hazbi Lika, pasuria e të cilit vlen 540 mijë euro. Të ardhurat mujore në bazë të pagave në familje arrijnë 2 mijë euro dhe ka një kredi prej 54 mijë eurosh për të paguar.

Jamin Sinani ka pasur në vlerën e rreth 500 mijë eurove, nga të cilat 40 mijë euro janë stoli ari, ndërsa të tjerat janë prona të patundshme dhe makina.

Pasuria e deputetes Shpresa Hadri arrin 403 mijë euro. Mirëpo, nuk ka të dhëna se sa vlen toka e kthyer në bazë të kthim-kompensimit.

Deputeti Rafiz Aliti ka paraqitur vetëm pasuri të patundshme në Radushë të Shkupit dhe në Berlin të Gjermani, në vlerën e përgjithshme 377 mijë euro.

Ndërkaq, më e varfër është deputetja Shkodrane Dardhishta e cila ka vetëm një makinë në vlerën 6 mijë euro dhe asgjë tjetër.

Ndërkaq, në listën e Menduh Thaçit, deputeti Gazmend Aliu peshon 267 mijë euro. Bëhet fjalë për pasuri të patundshme dhe makina, ndërkohë që ka një kredi prej 11 mijë eurosh për të paguar.

Bekim Fazliu ka paraqitur gjithsej 125 mijë euro. Bëhet fjalë për pasurinë e tij të patundshme në Kondovë dhe makina.

Imer Aliu ka pasuri të patundshme prej 54 mijë eurosh, por nuk tregon se sa i vlen toka bujqësore. Aliu ka edhe kredi prej 10 mijë eurosh.

Deputetja Meral Uzeiri ka pasuri në vlerën e 35 mijë eurove, kurse në emrin e saj është vetëm makina që vlen 3 mijë euro.

Ndërkaq, më i varfër është Ernad Fejzullahu, i cili ka vetëm 15 mijë euro kursim dhe makinën “Matiz” prej 3 mijë eurosh.

Në listën e Nikolla Gruevskit, tani për tani prinë deputeti i Strumicës Vasil Pishev pasuria e të cilit vlerësohet në disa milionë euro në vend dhe në Bullgari.

Vllatko Gjorçev ka gjithsej pasuri të patundshme, parkun e makinave dhe të holla në banka në shumën prej 364 mijë eurosh. Por ka sigurim jetësor për fëmijët prej 300 eurosh në vit.

Aleksandar Nikolloski ka pasuri në vlerën prej 290 mijë euro, në pasuri të patundshme, makina dhe të holla në banka. Mirëpo, ka edhe një kredi prej 13 mijë euro.

Ilija Dimovski në emrin e tij nuk ka pasuri të patundshme por ka vetëm aksione. Prona e patundshme e familjes së tij në Shkup, Veles dhe Ohër vlen 42 mijë euro. Ka park makinash prej 11 mijë eurosh dhe aksione prej 2 mijë euro.

Në këtë analizë nuk janë përfshirë deputetët e LSDM-së, duke pasur parasysh se asnjëri prej tyre nuk është në Parlament, kështu që në faqen e Internetit të Komisionit të Anti-korrupsionit nuk ofrohen të dhëna për gjendjen e tyre pronësore. /Alsat-M

Lajme të ngjashme

Back to top button