Shtetasit e Maqedonisë që luftojnë në Siri do të sanksionohen penalisht

Ministria e Brendshme e ndjek me kujdes përfshirjen e shtetasve të Maqedonisë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Ministrja Gordana Jankullovska thotë se e ka parë me shqetësim videon e publikuar ditëve të fundit në internet, ku një shtetas i Maqedonisë, pjesëtarë i grupit “Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit” gris pasaportën maqedonase. Për të parandaluar fenomenin e migrimit të shtetasve të Maqedonisë për luftë drejt Sirisë dhe së fundmi në Irak, Jankullovska tha se Qeveria tashmë ka bërë hapat e nevojshëm, duke ndryshuar Kodin Penal .

“Tashmë bëmë hapin e parë, si Qeveri para disa muajsh. Pak para zgjedhjeve, bëmë ndryshime në Kodin Penal ku sanksionohen njerëzit që nxisin, organizojnë dhe promovojnë pjesëmarrje në konflikte dhe aktivitete luftarake në vendet e tjera, që në një farë mënyre përfshin ata që promovojnë aktivitete të tilla dhe janë qytetarë të Maqedonisë”, u shpreh Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.

Ministrja Jankullovska nuk mohon mundësinë që nëse vazhdon ky fenomen, të shtrëngohen edhe mekanizmat ligjor, duke sanksionuar penalisht të përfshirët në luftëra në shtete të tjera.

“Hapi tjetër, për sanksionimin e personave pjesëmarrës nuk është gjë e panjohur, dhe sipas meje nuk është e papranueshme! Por duhet të analizohet dhe të precizohet model adekuat, që një normë eventuale ligjore të jetë operative dhe të mund të realizohet në praktikë”, tha Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.

Lajme të ngjashme

Back to top button