Arrestohen shtetase të huaja në kafenetë e Tetovës, mes tyre edhe një e lajmëruar si e humbur

Shtetaset e huaja që punonin në mënyrë të paligjshme si këngëtare, valltare apo kameriere në dy lokale nate, kapen në Bogovinë dhe Zherovjan të Tetovës. Shtetaset e huaja dhe ato vendase, gjithsejtë 11, janë të moshës nga 21 deri më 26 vjeç, ndërkohë që mes të ndaluarave është edhe një e mitur nga Shkupi, e shpallur si e zhdukur nga prindërit. Në lokalin “Oriental As”, nga 5 shtetaset e ndaluara, 3 kanë qenë bullgare ndërsa 2 serbe. Në lokalin tjetër “Lovec”, të 6-a shtetaset e kapura kanë qenë nga Maqedonia.

“Në objektin hotelierik “Oriental As”, pronë e 25 vjetarit H. A. nga Bogovina, janë takuar 5 shtetase të huaja, nga të cilat 3 nga Republika e Bullgarisë dhe dy nga Serbia, të moshës 21 deri 26 vjeç, të cilat kanë punuar si valltare. Pesë shtetaset e huaja janë arrestuar dhe pastaj i janë dorëzuar sektorit të krimit ndërkufitar, migrimeve të huajve dhe riatdhesimit, për procedurë të mëtejshme, në kuadër të të cilës do vërtetohen të gjitha elementet rreth qëndrimit të tyre dhe punës në vend”, tha Marjan Josifoski, Zëdhënës i SPB-së Tetovë.

Ndërsa në objektin tjetër të kontrolluar “Lovec” është kapur edhe një e mitur e cila ka kohë që sipas policisë evidentohej si e zhdukur.

“Në objektin hotelierik “Lovec” pronë e 42 vjeçarit me inicialet SH.A. nga Reçica e Vogël janë kapur 6 shtetase të Maqedonisë, mes të cilave edhe një e mitur nga Shkupi, e cila më 16 maj ishte denoncuar si e zhdukur. Sot paradite, ajo iu është dorëzuar prindërve”, deklaroi Marjan Josifoski, Zëdhënës i SPB Tetovë.

Kjo nuk është hera e parë e ndalimeve të tilla, në lokale nate nëpër Tetovë e Gostivar. Të ndaluarit hetohen nga Sektori i Punëve të Brendshme edhe për përfshirjen e tyre të mundshme në trafikimin e qenieve njerëzore.

Lajme të ngjashme

Back to top button