Vrau tre vajzat, nëna e Edlirës: Ja ç’më tha ime bijë në burg

Edlira Dobrushi, e cila tentoi të vetëvarej me çorape në ambientet e burgut në Itali pasi reflektoi se vrau tri vajzat e saj, kishte paralajmëruar për aktin që mbeti në tentativë.

Nëna e saj, Atlije Çopa, tregon për gazetën “Panorama” se gjatë takimit tri orë që pati me të bijën në ambientet e burgut, Edlira i kishte pohuar se dëshironte t’i jepte fund jetës në mënyrë që t’u bashkohej fëmijëve që tashmë prehen në varrezat e fshatit Shën Mëri në Kukës. E moshuara, mes dhimbjes që i bren zemrën, veç humbjes së mbesave, jeton me frikën se mund të humbasë dhe të bijën.

Edlira ka tentuar t’i japë fund jetës duke u vetëvarur në ambientet e burgut. Pse e ka ndërmarrë këtë akt?

Edlira tani ka ardhur në vete dhe është e ndërgjegjshme për krimin që ka kryer. Kjo po i shkakton një dhimbje mjaft të madhe. Për këtë ka tentuar t’i japë fund jetës, pasi nuk mund të mbajë në ndërgjegje vrasjen e tri vajzave të saj. Pavarësisht vizitave të shumta nga mjekët dhe psikologët, Edlira ende nuk e ka kaluar traumën që ka pësuar. Unë jam e sigurt se Edlira do të tentojë sërish për t’u vetëvrarë, pasi nuk e përballon dot dhimbjen dhe ndjenjën e fajit.

Ju e takuat Edlirën në ambientet e burgut për më shumë se tri orë. A ju la të kuptonit se ajo do ndërmerrte një akt të tillë?

Po, Edlira vazhdimisht thoshte se nuk mund të jetonte dot me këtë dhimbje të madhe që ndiente për vrasjen e tri vajzave. Kur unë bisedova me të më tha se donte të vriste veten. U mundova ta qetësoja, por ajo është shkatërruar shpirtërisht. Qante vazhdimisht.

Si ishte gjendja e saj dhe çfarë ju komunikoi rreth krimit?

Fizikisht ishte mirë, por shpirtërisht jo. Tani që ka ardhur në vete, gjëndja e saj është rënduar më shumë pasi kujton aktin e rëndë që kreu pak kohë më parë. Ajo më tha që e ka kryer krimin në gjendje të rënduar mendore dhe psikologjike, ndërsa në momentin që ka kryer vrasjet ka qenë e pandërgjegjëshme. Në botën e saj imagjinare, Edlira tregon se dikush e ka nxitur për të kryer vrasjet dhe në mënyrë të pandërgjegjshme e ka vënë në zbatim.

Krahas gjendjes së rënduar psikologjike, a ju ka shpjeguar motiv tjetër Edlira mbi krimin?

Edhe pse ka kaluar kohë ajo nuk do ta besojë se ka vrarë tre vajzat e saj. Thotë që është detyruar nga rrethanat, nga streset, problemet e përditëshme dhe nga gjendja e paqëndrueshme mendore. Edhe gjatë komunikimit që ne kemi patur me psikologët pas vizitave të shumta që Edlirës i kanë bërë, sqarojnë se ajo jeton me personalitet të dyfishtë dhe herë pas here e vë në dukje.

Çfarë kanë dashur të thonë mjeket me “personalitetin e dyfishtë’?

Sipas tyre, Edlira ka momente që është e ndërgjegjshme dhe e vetëdishme për krimin që ka bërë, duke e cilësuar atë si një akt të rëndë, ndërsa në të tjera momente ajo thotë,” u kam bërë një të mirë vajzave se i shpëtova nga kjo botë”.

Na tregoni diçka më shumë rreth takimit që patët me Edlirën në ambjentet e burgut…. A fliste Edlira për vajzat?

Qëndrova për më shumë se tri orë me Edlirën dhe vetëm për vajzat fliste. Kur ishte e ndërgjegjëshme thoshte “po vuaj shumë, nuk mund ta besoj që kam vrarë vajzat e mia, i doja më shumë se jetën time. Nuk dua të jetoj më, dua të vras vetën të shkoj pranë tyre”. Ndërsa në momentin që Edlira humbte logjikën thoshte “çfarë kanë vajzat që nuk vijnë për të më parë. Kam kohë këtu dhe ato nuk kanë ardhur për të më takuar”. Gjendja e saj ndryshonte nga momenti në moment, ajo po vuan shumë.

Çfarë kishtë bërë Edlira ditën e ngjarjes?

Më tha se atë ditë që ka kryer vrasjet kishte dalë së bashku me vajzat për të bërë pazar dhe nga dreka ishin kthyer në shtëpi. Ish-bashkëshorti atë ditë ishte nisur për në Shqipëri. Më tha që i vëllai, djali im, i kishte kërkuar që vajzat të flinin atë natë tek shtëpia e tij, por vajzat nuk kishin pranuar sepse nuk donin ta linin të emën vetëm.

A e kujtonte momentin e krimit?

Momentet e krimit i ka të turbullta dhe të paqarta. Ajo më tha që, “vajzat po flinin, ndërsa unë po qëndroja ulur në divan. Gjatë ditës kur ishim në pazar më bëhej sikur dikush me ndiqte dhe më thoshte do t’i vrasësh ti, apo ti vras unë vajzat. Kjo më përsëritej vazhdimisht në mëndje. Ora nuk më kujtohet, por di që kam marrë thikën dhe shkova në dhomën që flinin. Nuk di çfarë ka ndodhur më pas”. Për të është e dhimbshmë të flasë rreth ngjarjes.

Po ish-bashkëshorti e kishte takuar Edlirën në burg?

Që prej ditës kur ishte nisur për në Shqipëri (ditën e krimit), Bashkimi nuk është takuar me Edlirën. Ai nuk është interesuar as për procesin gjygjësor dhe as për gjendjen në të cilën ndodhet vajza ime. Edlira më tha që, asnjë prej të afërmve të Bashkimit nuk ka shkuar për ta parë, madje as për t’i kërkuar llogari për krimin që ka bërë, duke e braktisur plotësisht./ Gazeta Panorama

Lajme të ngjashme

Back to top button