Prapaskenat e arratisjes së të kërkuarve nga Lazarati, gjetja e pasaportave serbe dhe dyshimet për rrethimin policor

Operacioni policor më i pashembullt, më masiv, më i rrezikshmi në historinë e pluralizmit shqiptar, për të shembur republikën dhe dinastinë e karteleve më famëkeqe të drogës në Lazarat, ka edhe anët e tij të errëta.

Bëhet fjalë për prapaskenat e arratisjes së mistershme të grupit të zjarrit, i cili për pesë ditë me radhë, luftoi me mbi 800 forca policie, me anti-tanke, autoblinda, mitraloza të rëndë, mitraloza të lehtë, granatahedhës, kallashnikovë dhe snajpera. Ndonëse policia kishte marrë masat të bllokonte të gjitha rrugët dhe shtigjet dalëse të fshatit të drogës, pra “Lazaratit”, banda e rezistencës arriti të arratisej në mal, ditën e fundit të betejës së armatosur. Ndërsa policia vijon të zbulojë baza dhe llogore të reja nga ku u qëllua për pesë ditë me radhë ndaj forcave speciale, mbetet mister mënyra se si u arratis grupi i zjarrit në orët e fundit të rezistencës së armatosur. Sipas burimeve, pjesë e bandave që i përgjigjën policisë me armë në Lazarat, ishin eksponentë me rekorde kriminale nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, të kërkuar ndërkombëtarisht, elementë me dënime të përjetshme, baronë droge dhe vrasës. Po sipas burimeve, asnjë nga anëtarët e grupit më famëkeq që u arratis pas ngushtimit të rrethit policor, nuk ishin nga Lazarati. Asnjë nga të kërkuarit e rrezikshëm nuk ra në prangat e policisë, por të gjithë i shpëtuan rrethimit, të ndihmuar nga tymi i djegies së hashashit ose nga mjegulla e politikës. Kështu, aksioni pesëditor i mbi 800 forcave policie dhe i shumë strukturave të tjera ligjzbatuese, kulmoi me kapjen e Gate Mahmutajt, i cili në fund të fundit u dorëzua vetë dhe të disa shërbëtorëve të kartelit kryesor. Celula kryesore e rezistencës në Lazarat u arratis në ditën e pestë të betejës së armatosur. Ku u zhduk grupi i zjarrit? Kjo është pyetja që qarkullon sot në korridoret e politikës dhe që qëndron si tymi i hashashit mbi operacionin policor. Dyshimet janë thelluar më tej, kur grupi hetimor i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, gjatë kontrolleve në Lazarat, përpos snajperëve, municioneve dhe drogës, ka gjetur edhe pasaporta serbe.

Varianti i dytë 
Ndërkaq pikëpyetjet dhe dyshimet për arratisjen e bandës kryesore të Lazaratit sa vijnë e shtohen, një tjetër variant po qarkullon, sipas të cilit policia ka lejuar arratisjen e grupit të zjarrit dhe mercenarëve të paguar, për të evituar gjakderdhjen dhe humbjen e jetëve të pafajshëm në këtë fshat. Po sipas këtij varianti, Policia e Shtetit, ka një plan të dytë për ta arrestuar grupin në fjalë, ndërsa po mbledh prova për veprimtarinë kriminale në fshat.
Mercenarë në Lazarat 

Sipas burime, me Policinë e Shtetit në Lazarat, kanë luftuar edhe mercenarë. Burime nga forcat speciale bënë me dije se ky kontingjent personash ishte stacionuar në një kapanon të improvizuar dhe qëllonte pa mbarim në drejtim të forcave të rendit që ishin stacionuar në faqen e malit të Sopotit, rreth 100 metra në vijë ajrore. Grupi i luftëtarëve ishte pajisur edhe me prozhektorë të fortë të cilët bënin të mundur ndriçimin natën. Personat me pagesë ishin pajtuar nga “bosët” e Lazaratit për të mbrojtur fshatin në të cilën zhvillohej biznesi dhjetëra milionë euro./ Sot News/

Lajme të ngjashme

Back to top button