Basha: Pushteti i PS-së si sulltanat personal

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka marrë pjesë sot në Kuvendin Zgjedhor të degës së Lezhës dhe Mirditës, nga ku deklaroi se përballë votës së lirë që qëndron në themel të organizimit të PD-së, qëndron një vizion i vjetër i PS-së që e sheh pushtetin si sulltanat personal:

“Me Edi Ramën dhe Ilir Metën, për fat të keq, nuk foli dhe nuk po flet dot një plejadë e re dhe një vizion i ri i së majtës shqiptare. Foli dhe po flet, kam bindjen se për herë të fundit, një vizion i vjetër dhe i vjetruar që e shikon pushtetin si sulltanat personal. Përballë këtij realiteti të hidhur, ne kemi e duhet të zhvillojmë më tej  alternativën tonë të lirisë dhe zhvillimit, duke u orientuar më mirë dhe më fuqishëm se deri tani drejt lirisë si promotor zhvillimi, drejt sipërmarrjes së lirë, të vogël, të mesme dhe të madhe, drejt Shqipërisë që punon, krijon dhe prodhon në bazë të kësaj aksiome që e kemi vendosur në radhët tona si kryesore dhe vendimtare; nismës së lirë dhe  konkurrencës së lirë”, tha Basha.

Ai deklaroi se zgjedhja e drejtuesve të partisë me votë është një vlerë e jashtëzakonshme, dhe apeloi për demokratet, që votën ta përdorin me zgjuarsi dhe me përgjegjësi për të zgjedhur më të mirët.

“Sfida dhe qëllimi kryesor i këtyre zgjedhjeve që po zhvillohen në të gjithë piramidën ka qenë dhe është të nxjerrim me votë ekipet e fitores. Kjo është një sfidë e përbashkët, një sfidë e gjithë anëtarëve nga i pari tek i fundit.  Jeni ju që vendosni, jeni ju që zgjidhni me votë të lirë!, deklaroi kryetari i PD-së.

Basha theksoi se vota e lirë qëndron në themel të organizimit të PD-së dhe kjo është një vlerë që do të ruajë reputacionin e një partie të mirë:

“Kemi venë votën e lirë në themel të organizimit dhe sistemit të karrierës në Partinë Demokratike . Kjo është një vlerë e jashtëzakonshme, është një vlerë që duhet të dimë ta përdorim me zgjuarsi dhe me përgjegjësi. Ne do të ruajmë e do të zhvillojmë me tej në publik reputacionin e një partie të  mirë, duke zgjedhur mirë”, tha Basha./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button