Lazarat, bilanci i aksionit 7-ditor

Tre furgonë të braktisur me heroinë, kanabis dhe armatime të rënda janë gjetur në një magazinë pranë një pularie në Lazarat, në pronësi të Drini Alikos. Tetë pako heroinë, predha, kundërtank, tritol, snajper dhe uniforma policie u sekuestruan në tre automjetet e gjetura të cilët ishin pa targa.

Operacioni i Policisë brenda fshatit të Lazaratit, pasi Shteti arriti të marrë në kontroll të gjithë territorin e tij në “luftën” me bandat e trafikantëve, po surprizon nga dita në ditë, kur tashmë shënohet plot një javë nga superaksioni antikanabis. Veç sasive të konsiderueshme të kanabisit…e pritshme kjo kur thuajse në cdo banesë të fshatit janë gjetur parcela të tëra me bimë narkotike, në fshatin ku rënia “e pushtetit” të drogës dukej mision i pamundur, po zbulohen dita ditës arsenale armësh të rënda.

Armë automatike, pushkë, pistoleta, mitraloz, antitank, murtajë, granatahedhës, fishekë dhe tritol..armatime nga të gjitha llojet janë gjetur në banesat dhe ambientet e fshatit të Lazaratit.

Po sot Policia zbuloi një nga bazat strategjike nga ku grupet e trafikantëve prej 5 ditësh bënë rezistencë të armatosur ndaj forcave speciale në aksionin për të luftuar kultivimin e kanabisit në fshatin e Lazaratit. Baza u zbulua pranë depos së ujit, 100 metra nga qendra e fshatit ku u gjetën armë të rënda, gëzhoja dhe arka me bomba.

Në 7 ditë operacion forcat speciale kanë gjetur me dhjetëra armë e mijëra fishekë, ndërsa ka asgjësuar rreth 35 ton kanabis dhe rreth 110 mijë rrënjë bimë narkotike dhe fidanë dhe janë zbuluar 5 laboratorë përpunimi, gjatë kontrolleve në territoret e mbi 335 banesave dhe një numri të konsiderueshëm ambientesh të tjera në brendësi të fshatit Lazarat, tokave përreth tyre dhe në tokat e komunës në territorin ku forcat e policisë kanë depërtuar në zonë.

Ndërkaq, 18 persona janë arrestuar deri më tani, si të dyshuar për rezistencën e armatosur kundër policisë nga nisja e këtij aksioni, ndërsa grupe të tjera banditësh mundën të largoheshin nga fshati përmes malit, çka i hapi rrugë ndërhyrjes së policisë në qendër të fshatit duke shmangur gjakderdhjen.

Nga strukturat e Policisë së Shtetit gjatë ditës së sotme kanë veprimet për në terren, ku deri në këto momente:

–          është ushtruar kontroll në territoret e mbi 100 banesave dhe një numri të konsiderueshëm ambientesh të tjera në brendësi të fshatit Lazarat, tokave përreth tyre dhe në tokat e komunës në territorin ku forcat e policisë kanë depërtuar në zone

–          janë gjetur dhe asgjësuar rreth 4 ton e 597.2 kg marijuanë dhe rreth 3122 bimë narkotike kanabis sativa, duke marrë dhe mostrat përkatëse në cilësinë e provës për ekzaminim.

–          janë gjetur 8 pako e dyshuar heroinë në një ambient në afërsi të qendrës Lazarat.

–          janë sekuestruar  8 armë zjarri automatikë e pushkë, 1 antitank, 2 çifte,

–          janë gjetur e sekuestruar dhe 3 mitrolozë të rëndë, 1 mitroloz i lehtë dhe 1 pushkë të djegura

–          37 granata, 6 arka me fishekë dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh

–          në një magazinë tek pularia janë gjetur armë automatike, predha, një kundërtank,  tritol, 3 makina pa targa që kanë armatim e municion brenda.

–          dokumente identiteti të  ndryshme, një kartë të shtetësisë serbe, po kryhen  verifikimet.

–          janë gjetur ambiente laboratorë llamba tharje në banesën e shtetasit Sh.Malaj, në Lazarat.

–          në një tjetër ambient është gjetur një snajper, uniforma policie, armatim e municione të tjera.

–          janë bllokuar për kqyrje të mëtejshme 2 mete të tjera me armë e kanabis brenda tyre.

Vijon kryerja e veprimeve procedurale nga grupet e ekspertëve në terren.

REZULTATE TË OPERACIONIT NË TOTAL

Strukturat e Policisë së Shtetit gjatë ditëve të zhvillimit të këtij operacioni në Lazarat kanë mundësuar asgjesimin e rreth 110.292 rrënjëve bimë narkotike dhe fidanë, si dhe të një sasie mbi 35 ton e 450.24 kg kanabis sativa, duke marrë dhe mostrat përkatëse në cilësinë e provës për ekzamimin.

Janë bllokaur dhe 8 pako e dyshuar heroinë.

Po ashtu gjatë këtyre kontrolleve janë gjetur dhe 5 laboratorë nga të cilët 3 përpunimi të bimëve narkotike dhe 2 për përpunimin e vajit të hashashit, si dhe sasi të konsiderueshme municioni dhe armë, ku vetëm dy ditët e fundit u sekuestruan:

–          48 armë zjarri automatikë e pushkë, 6 pistoleta, 3 mitrolozë, 2 antitank, 1 murtajë dhe 2 granatëhedhës, 1 snajper, 2 armë të vjetra, si dhe 3 armë gjahu.

–          Janë gjetur e sekuestruar dhe 3 mitrolozë të rëndë, 1 mitroloz i lehtë dhe 1 pushkë të djegura

–          Janë sekuestruar gjithashtu sasi të konsiderueshme municioni si: 37.084 fishekë të llojeve të ndryshme, si dhe 15 arka me fishekë dhe 13 kaseta me fishekë, 7 kallëpë tritol, 2 pako kapsolla detonatore, 50 granata dhe një arkë me granata, 4 kuti predha granatëhedhësi dhe 3 predha të tjera granatëhedhësi, 4 krëhra fishekësh.

–          Janë gjetur e sekuestruar 10 automjete me armatim, municion e kanabis, si dhe 10 automjete bosh.

Po ashtu:

–          në një magazinë tek pularia janë gjetur armë automatike, predha, një kundërtank,  tritol, 3 makina pa targa që kanë armatim e municion brenda.

–          dokumente identiteti  të  ndryshme, një kartë të shtetësisë serbe, po kryhen  verifikimet.

–          në një tjetër ambient ku është gjetur një snajper, uniforma policie, armatim e municione të shumta

Është ushtruar kontroll në territoret e mbi 335 banesave dhe një numri të konsiderueshëm ambientesh të tjera në brendësi të fshatit Lazarat, tokave përreth tyre dhe në tokat e komunës në territorin ku forcat e policisë kanë depërtuar në zonë.

Në kuadër të këtij operacioni deri në këto momente janë arrestuar 18 persona të dyshuar për sulmet me armë ndaj forcave të policisë, për kultivimin kanabisi, kundërshtim të punonjësve të policisë apo për shkatërrim prone./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button